ARKIV 2018 - I akuzuari Granit Elshani në Gjykatën e Pejës - Foto: KALLXO.com
Mbrojtja e Granit Elshanit paralajmëron ankesë ndaj vendimit të Gjykatës
Mbrojtja e Granit Elshanit, të cilin Gjykata e Pejës e dënoi me 25 vjet burgim, ka paralajmëruar se do ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtor Granit Elshanin në gjykimin për një incident të fillimit të vitit 2010 në një diskotekë të këtij qyteti.
Granit Elshani u shpall fajtor për veprat penale vrasje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Avokati i dytë i të dënuarit Granit Elshani, Bujar Berdynaj, i kontaktuar nga KALLXO.com ka theksuar se mbrojtja brenda afatit kohor do parashtrojë ankesë ndaj aktgjykimit të shpallur sot nga Gjykata Themelore e Pejës.
http://kallxo.com/denohet-granit-elshani-per-sulmin-ne-diskoteke-ne-peje/
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT”, kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit.
Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por nga plumbat e shkrepur ishte vrarë Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër Valdetit.
Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.
Të gjitha raportimet mund t’i gjeni në këtë link.