Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Mbahet Seanca Fillestare për Vrasjen e Rëndë në Tentativë

Drilon Azemi, Jeton Gashi dhe Ferit Sinidolli po akuzohen si pjesëmarrës në kryerjen e veprës penale në ngjarjen e dhjetorit të vitit të kaluar me ç’rast Butrint Reqica pësoi dëmtime të rënda trupore.

Edhe Jeton Gashi e Ferit Sinidolli para trupit gjykues u deklaruan se nuk e pranojnë veprën penale për të cilën akuzohen.

Sipas aktakuzës Drilon Azemi akuzohet të ketë kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, pasi që ai dyshohet se në  dhjetor të vitit të kaluar në rrugën “Ymer Aliu” në Prishtinë, me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta personin tjetër.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake me tani dëshmitarin Deniz Torbanqe, i akuzuari Drilon Azemi përmes telefonit e kishte ftuar tashmë të akuzuarin tjetër Jeton Gashin që ky t’ia bëjë një shërbim me veturë.

Pasi që Jetoni e merr veturën shkon dhe e merr te shtëpia e tij Drilonin, i cili del nga shtëpia me një çantë krahu dhe i thotë Jetonit që të vazhdojnë drejt qendrës tregtare “Jambo”, ku Driloni blen dy palë doreza dhe dy maska të zeza.

Pas kësaj, të akuzuarit kanë vazhduar në drejtim të Prishtinës, ku Driloni i ka thënë Jetonit që ta dërgojë tek Banesat e Arabëve, në rrugën “Ymer Aliu”, e pasi që arrijnë aty i kërkon atij për ta ndalë veturën e pastaj ai ulet në ulësen e pasme. Pastaj pasi vazhdojnë në rrugën e lartcekur, ku banon dëshmitari Deniz Torbanqe dhe pasi që i akuzuari Drilon Azemi e sheh të ndalur veturën e Deniz Torbanqes , i identifikon dëshmitarët Deniz Torbanqe dhe Rinor Grajqevcin me të cilët më parë kishte pasur mosmarrëveshje dhe pasi që arrin paralel me veturën e Denizit, Driloni e hap xhamin e dritares së veturës dhe nga çanta e nxjerrë një automatik të cilin më parë e kishte përgatitur në gjendje gatishmërie për të shtënë, edhe pse e ka ditur që mund të rrezikojë jetën e personave të tjerë të cilët kane qenë afër veturës.

Driloni ka shtënë disa herë në drejtim të pjesës së parë të veturës, ku nga këto të shtëna katër predha e kanë goditur Butrint Reqicën, i cili ka pësuar dëmtime të rënda trupore.

Me këtë rast, Drilon Azemi akuzohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I akuzuari tjetër Jeton Gashi sipas aktakuzës akuzohet për kryerjen e veprës penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Sipas aktakuzës, ai i ka dhënë ndihmë Drilon Azemit pas kryerjes së veprës penale edhe pse nuk ka qenë në dijeni se Driloni është përgatitur për kryerjen e kësaj vepre, por pasi që ai kishte shtënë me armë me dashje e ka ndihmuar për të ikur nga vendi i ngjarjes duke e drejtuar veturën e tij me shpejtësi të madhe më qëllim për të ikur nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa edhe Ferit Sinidolli akuzohet se ka kryer veprën penale dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Sinidolli akuzohet se me dashje u ka dhënë ndihmë pas kryerjes së veprës penale të akuzuarve Drilon Azemi e Jeton Gashi pasi që të njëjtit pas kryerjes së veprës penale ishin vendosur në “Hotel  Tirana” në Prishtinë dhe besohet që pasi që ata kishin biseduar në telefon me Feritin i kishin treguar se ku ndodhen, kështu që të nesërmen Feriti kishte shkuar dhe i kishe marrë me veturën e tij me qëllim për t’i larguar në drejtim të panjohur, mirëpo nuk kishte arritur sepse gjatë ikjes ishin ndalë dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë ndaljes nga Policia, Feritit i është gjetur edhe një armë e cila besohet të ketë qenë e të akuzuarit Drilon Azemi dhe të cilën ia kishte dhënë ai për t’ia mbajtur, prandaj po akuzohet edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Gjatë seancës fillestare avokati i të akuzuarit Jeton Gashi, Ramiz Krasniqi i propozoi trupit gjykues që të mbrojturin e tij ta lirojë nga masa e arrestit shtëpiak pasi që i njëjti është student dhe do ishte mirë t’i mundësohet ndjekja e ligjëratave dhe hyrja në provime.

Edhe pse pati kundërshtime nga ana e prokurorisë me arsyetimin se ende ekziston dyshimi i bazuar se nëse lëshohet në liri i akuzuari do të arratiset, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Nora Bllaca-Dula mori aktvendim me të cilin u aprovua kërkesa e avokatit Krasniqi, me ç’rast ndaj të akuzuarit Jeton Gashi u hoq masa e arrestit shtëpiak me arsyetimin se i njëjti ishte sjellë sipas rregullave dhe se asnjëherë më herët nuk e kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak.

Drilon Azemi po mbahet në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Shqyrtimi i dytë gjyqësor do të mbahet me 24 prill.

Redaktoi: Naser Sertolli