Gjatë takimit mes gjeneralit të KFOR-it, Salvatore Cuoci dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni- Foto: Policia e Kosoves

Maxhuni kërkon mbështetje nga KFOR për inkuadrimin e PK-së në INTERPOL

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka prezantuar sot para gjeneralit të KFOR-it, Salvatore Cuoci, kapacitetet dhe përgatitjet e Policisë së Kosovës.

Maxhuni përveç bashkëpunimit, ka kërkuar nga ana e gjeneralit të KFOR-it, Salvatore Cuoci ta mbështes Policinë e Kosovës në inkuadrimin e organizatës më të madhe të sigurisë, atë të INTERPOL-it.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Maxhuni gjatë këtij takimi i ka prezantuar gjeneralit edhe strukturën organizative dhe funksionimin e Policisë.

“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar, krimit trans kufitar, si dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Maxhuni sipas njoftimin, ka veçuar bashkëpunimin e mirë që ka PK me KFOR-in, bashkëpunim ky i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta, kryesisht në brezin kufitar.

Drejtori MAXHUNI gjatë këtij takimi prezantoi edhe angazhimet dhe punën e pakursyer që Policia e Kosovës po bën në shumë fusha, e në veçanti atë të bashkëpunimit ndërkombëtar të realizuar përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU).

Gjenerali Cuoci, gjatë takimit me Maxhunin është zotuar për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave dhe trajnimeve fushore, me qëllim të avancimit të mëtejmë të të dy institucioneve, e që kanë synime të përbashkëta në sigurinë e vendit dhe qytetarëve.