Matematikani i Famshëm u Ligjëron Studentëve të UP-së

Studentët e Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore të Universitetit të Prishtinës patën mundësi të ndjekin një ligjëratë nga matematikani francez Cedric Villani.

Villani është profesor në Universitetin e Lyonit dhe ka fituar disa çmime përfshirë ‘Medaljen Fields’ për punimet e tij shkencore në fushën e matematikës.

Në kuadër të një turi ballkanik, Villani erdhi për vizitë në Kosovë për të mbajtur dy ligjërata rreth teoremave të tij me studentë të fushave të matematikës dhe fizikës.

Për një orë e gjysmë ky shkencëtar u shpjegoi studentëve logjikën dhe ekuacionet së temës ‘Transporti Optimal dhe Kantorovich’.

Drilon Këpuska, një student i Departamentit të Fizikës, konsideron se një ligjëratë e tillë ka qenë e nevojshme për departamentin e tij megjithëse ishte e fokusuar më shumë në matematikë.

“Është hera e parë që po vij në një ligjëratë të karakterit të tillë, kështu që jam shumë i befasuar dhe më vjen mirë që ka ardhur në Departamentin tonë, nuk mundem të them që e kam kuptuar krejt por pjesën fundamentale lidhje me fizikën e kam marrë vesh”, vlerësoi Këpuska.

Ndërkaq, profesori Villani u shpreh i befasuar me interesimin e studentëve duke shprehur dëshirën e tij për ta parë vendin të zhvilluar.

“Në Kosovë kam qenë i interesuar të shoh për shkak se kemi bashkëpunim me këtë shtet në universitetin tim në nivelin e studentëve dhe jemi të etur të shohim këtë shtet teksa zhvillohet matematikisht. Nuk kam pasur shumë kohë të kontrolloj kurrikulat por çfarë kam vërejtur edhe dje në ligjëratën time me një audiencë të gjerë, kishte shumë pyetje, vëmendje dhe koncentrim nga studentët”, tha Villani për KALLXO.com.

Ai gjithashtu për KALLXO.com tregoi përshtypjet e tij për Prishtinën dhe Kosovën në vizitën e tij të parë.

“Kam zbuluar se Prishtina është një qytet plot jetë, plotë dritë dhe biseda të këndshme. Kur arrin nga Shqipëria është shumë e mrekullueshme sepse kalon nëpër një vijë të gjatë me male që duken të forta  dhe arrin nga atje në një zonë të bukur”, përshkroi Villani.

Ardhja e matematikanit në Kosovë është organizuar në kuadër të ‘Javës së Frankofonisë’ që e organizon Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.