Vjollca Krasniqi dhe Ger Duijzings gjatë prezantimit të ligjëratës. Foto: KALLXO.com.

Antropologu Ger Duijzings mban ligjëratë mbi transformimet urbane post-socialiste

Profesori i Antropologjisë Sociale, Ger Duijzings nga Universiteti i Regensburgut në Gjermani, ka mbajtur sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë ligjëratën “Nëse makinat mund të ecin në rrugët post-socialiste në transformim”.

Antropologu Duijzings ka folur lidhur me transformimet urbane në qytetet post-socialiste në disa vende në Evropën Juglindore duke i parë nga prizmi i mobilitetit apo lëvizjes së makinave.

Ligjërata e antropologut nga Gjermania është mbajtur në kuadër të bashkëpunimeve që ka Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina”, përkatësisht Fakulteti Filozofik, me Universitetin e Regensburgut nga Gjermania.

Gjatë ligjëratës së tij, Duijzings është fokusuar në mënyrës se si rrugët dhe autostradat ndikojnë në transferimin e jetës në qytetet post-socialiste, duke përfshirë edhe qytetet në Kosovë dhe Shqipëri. Ai solli shembuj lidhur me këtë transformim dhe të mirat dhe vështirësitë që shkakton fluksi i madh i makinave në rrugët dhe autostradat kosovare.

Ndërsa, duke folur për aksidentet në trafik dhe parandalimin e tyre, Ger Duijzings ka thënë se Policia duhet të sigurojë që njerëzit t’u binden rregullave. Por, edhe që njerëzit të mos i përdorim makinat pa nevojë.

“Mund të përdoren edhe instrumente si semaforët, korsitë, por mund të them se studimet tregojnë se kjo nuk është metoda më e mirë. Inxhinierët e trafikut duhet të shikojnë hapësirat e ndara, sepse duhet të keni në mendje se mund të kalohet rruga dhe aksidente mund të shkaktohen sepse drejtuesi i veturës mund të mos jetë i vëmendshëm dhe shkel këmbësorin. Inxhinierët duhet të ndryshojnë qasjen për më shumë hapësira të ndara dhe me më pak semaforë. Në momentin kur largohen semaforët njerëzit do të fillojnë të shikojnë dhe do fillojnë të vozisin më ngadalë, këtë e provon edhe studimi”- tha Duijzings për KALLXO.com.

Sipas tij, shumë njerëz përdorin veturën pa nevojë edhe nëse ju duhet të blejnë diçka 500 metra larg nga shtëpia e tyre. “Nuk mendoj që kjo është e nevojshme”-tha ai.

Ndërsa, Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Fakultetin Filozofik të UP-së “Hasan Prishtina”, tha për KALLXO.com se ligjërata e antropologut Duijzings është vazhdimësi e bashkëpunimit të cilin komuniteti i studiuesve në Kosovë, posaçërisht nga Universitetit të Prishtinës, kanë me Ger Duijzings.

“Ligjërata e sotme është pjesë e bashkëpunimit mes Fakultetit të Filozofisë (UP-së) me Universitetin e Regensburgut nga Gjermania dhe projektin të cilin e udhëheq Duijzings. Ligjërata të tilla mundësojnë ndërkombëtarizimin e shkencës kosovare dhe shkëmbimin e përvojave dhe informacioneve të ndryshme shkencore me studiuesi të huaj”-tha ajo për KALLXO.com.

Ger Duijzings është profesor Antropologjisë Sociale në Universitetin e Regensburgut në Gjermania. Duijzings është studiues i antropologjisë sociale të Evropës Juglindore me  fokus të veçantë  mbi konfliktet në ish-Jugosllavi. Ai është një njohës i mirë edhe zhvillimeve në Kosovë dhe së fundi ai merret me studimin e transformimeve urbane në qytetet post-socialiste.