ILUSTRIM- Xhami në Prishtinë. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com
Në xhamitë e Kosovës do të ligjërohet kundër dhunës ndaj grave
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka rekomanduar që sot në të gjitha xhamitë e Kosovës të ligjërohet tema e luftimit të dhunës ndaj grave.
Kjo ka ardhur pas vrasjes së 35-vjeçares shtatëzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në oborrin e QKUK-së para dy ditësh.
Për këto ligjërata ka njoftuar Bashkësia Islame e Kosovës.
“Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë anekënd Kosovës, në hytben e xhumasë, do të ligjërohet tema “Angazhimi familjar dhe kolektiv për luftimin e dhunës ndaj femrës” – bëhet e ditur në njoftimin e tyre.
I dyshuari për vrasjen e 35-vjeçares ende gjendet në arrati.
Sipas dosjes hetimore që ka siguruar KALLXO.com, viktima Hamide Magashi përpos përcjelljes së vazhdueshme nga vjehrra dhe bashkëshorti, viktima kishte raportuar edhe për kërcënimet me armë, dhunën e vazhdueshme të cilën e kishte pasur nga bashkëshorti.
Madje Magashi kishte raportuar se kishte pasur edhe kërcënime me vrasje të burrit të motrës dhe kryerjes së marrëdhënies seksuale me motrën në praninë e saj.
Përpos dhunës dhe kërcënimeve Magashi kishte denoncuar edhe se çdo pagë të cilën e realizonte nga puna në Komunën e Ferizajt ia dorëzonte bashkëshortit, duke ia paguar kështu edhe gjobat për kundërvajtjet në trafik.
Pas këtyre deklaratave në fund të muajit korrik të këtij viti ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Sokol Halili. Gjatë kontrollit atij i ishin gjetur dy armë, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.
Për armëmbajtje pa leje Sokol Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë prej 300 euro.
Përpos akuzës për armëmbajtje pa leje, në gusht të këtij viti Sokol Halili ishte akuzuar edhe për veprën penale – kanosja. Rasti është duke u trajtuar.