Ilustrim

Malit të Zi i Kërkohet më Shumë Punë në Hetimin e Krimeve të Luftës

Në ditët e fundit të 2015-tës, aktivistë malazezë të të drejtave të njeriut përsëri i bënë thirrje autoriteteve të ngrenë një qendër kërkimore dhe dokumentacioni, e cila të mbledhë fakte për krimet e kryera gjatë konflikteve të viteve 1990, pasi qeveria e ka premtuar këtë gjë për vite me radhë.

Aleanca Qytetare, një organizatë mbikëqyrëse vendase, kërkoi që prokuroria e vendit të rihapë procedurat për të identifikuar “ata frymëzuan, komanduan dhe nxitën” krimet e luftës në gjashtë çështjet që janë nxjerrë para gjykatave të Malit të Zi – vetëm njëra prej të cilave përfundoi me dënime.

Apeli i OJQ-së që të vihet drejtësi në lidhje me viktimat dhe autorët e krimeve të luftës në Mal të Zi erdhi pasi një projektrezolutë e miratuar nga Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian në fillim të dhjetorit bëri gjithashtu thirrje për më shumë veprim.

Rezoluta i kërkoi qeverisë dhe prokurorisë “të intensifikojë përpjekjet e tyre për të luftuar mosndëshkimin e krimeve të luftës dhe të tregojë një qasje më proaktive në ndjekjen e akuzave për krime lufte”.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar në mënyrë efektive që viktimat e krimeve të luftës të kenë qasje në drejtësi dhe kompensim në Mal të Zi.

Një muaj më parë, raport progresi i BE-së për vitin 2015 në Mal të Zi shprehu shqetësimin se Podgorica nuk ka ndjekur ende penalisht ndonjë zyrtarë të lartë për krime lufte gjatë konflikteve të viteve 1990.

Komisioni Evropian tha se Mali i Zi duhet të bëjë më shumë për të luftuar mosndëshkimin e krimeve të luftës dhe në mënyrë efikase të hetojë, të ndjekë penalisht, të gjykojë dhe të ndëshkojë kriminelët e luftës në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Vendimet gjyqësore e marra deri më tani kishin gabime ligjore dhe mangësi në zbatimin e së drejtës humanitare ndërkombëtare,” thuhej në raport.

Nuk ka arrestime të reja

Prokuroria e Malit të Zi ka organizuar një total prej gjashtë rastesh krimesh lufte kundër civilëve dhe nuk ka pasur arrestime të reja, aktakuzat apo marrje vendimesh në vitin 2015.

Megjithatë, një ish-polic i liruar nga akuzat për ndalimin dhe dëbimin e refugjatëve boshnjakë nga Herceg Novi në Mal të Zi në vitin 1992, mori 87 mijë euro kompensim për kohën që ai kaloi në burg.

Pasi u dëbuan, shumica e boshnjakëve u vranë, por Gjykata e Apelit në Mal të Zi vendosi në vitin 2013 se nëntë policët e përfshirë në këtë çështje nuk mund të shpalleshin përgjegjës për kryerjen e një krimi lufte.

Shpresa për një qasje më efikase ndaj krimeve të luftës u ngritën në qershor, kur ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit Milivoje Katniç u emërua kreu i departamentit të ri të prokurorisë për krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet e luftës.

Emërimi i Katniçit erdhi pasi Mali i Zi emëroi një prokuro të ri të lartë shtetëror, Ivica Stankoviç, i cili premtoi se do të tregonte “rezultate reale” në trajtimin e krimeve të luftës.

Por në nëntor, kryeprokurori Stankoviç pranoi se “prokuroria nuk ka arritur rezultate të kënaqshme” në çështjet e krimeve të luftës.

Ai tregoi se ishte miratuar një strategji e re për hetimin e krimeve të luftës me një qasje të dyfishtë që përfshin një “qëndrim proaktiv nga prokurorët dhe transparencë të zyrës së prokurorit” në mënyrë që “të eliminohet mungesat e konstatuara në këtë fushë”.

“Ky dokument përshkruan gjithashtu identifikimin e malazezëve që mund të kenë qenë të përfshirë në grupe paraushtarake aktive gjatë luftës në rajonin e ish-Jugosllavisë,” shtoi Stankoviç.

Aksioni për të Drejtat e Njeriut, një organizatë e njohur mbikëqyrëse që merret me krimet e luftës, tha se Komisioni Europian e kishte bërë të qartë se sistemi gjyqësor nuk po e trajton si duhet këtë çështje.

Drejtoresha e organizatës mbikëqyrëse, Tea Gorjanc Preleviç, tha për BIRN se nëse Mali i Zi dëshiron të vazhdojë në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE, prokurorët e shtetit do të duhet të tregojnë një qëndrim më të guximshëm dhe më profesional, ndërsa gjykatat duhet të tregojnë më shumë aftësi dhe vullnet për t’u marrë me kriminelët e luftës.

Gorjanc Preleviç tha se ata që tashmë janë liruar nga akuzat për krime lufte nuk mund të ndiqen penalisht për të njëjtat krime.

“Por ata mund të gjykohen për krime që janë lënë jashtë në aktakuzat e mëparshme,” tha ajo.

Megjithatë, në përgjithësi shumë malazezë të thjeshtë vazhdojnë të besojnë se vendi nuk ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në konfliktet e viteve 1990, përfundoi ajo.