Lutfi Haziri Pendohet që Kritikoi Ismet Beqirin

Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri u ka rënë pishman kritikave që i ka bërë ndaj shefit të grupit parlamentar të partisë së tij Ismet Beqirit për përdorimin e veturës së LDK-së edhe jashtë orarit të punës.

Ai në debatin “Jeta në Kosovë”, tha se është dashur që kjo të mbahet në kuadrin politik.

“Prej anës time duhet me pranu që nuk ka qenë korrekte komunikimi, sepse ne jemi kolegë, është dashtë me e pasë një komunikim miqësor dhe kolegial,” tha Haziri.

Ai pas djegies së veturës së Ismet Beqirit me 7 mars nga persona të panjohur ka reaguar në faqen e tij zyrtare në Facebook në lidhje me përdorimin e veturave zyrtare jashtë orarit të punës.

“Vandalizmin dhe dëmtimin e pronës private si në rastin e djegies së veturave private të Memli Krasniqit e Bajram Gecajt, e së fundi edhe djegien e veturës zyrtare të LDK-së e dënoj ashpër. Por, dua t’ia kujtoj Ismet Beqirit se vetura ka qenë dashur të jetë në parkingun e LDK-së, e jo në shtëpinë e tij. Nga sot, Ismet Beqiri ia ka borxh LDK-së një veturë të tipit Passat! LH,” pati shkruar Haziri.

Haziri  ende i gjykon përdorimet e veturave zyrtare  nga individë të ndryshëm edhe jashtë orarit të punës.

“ Kjo puna e kujdesit dhe e disiplinës shtetërore karshi edhe vendimeve që janë sjellë edhe nga ana e qeverisë edhe nga ana politike duhen me marrë fund. Duhet me e ditë çdokush që jashtë orarit të punës prona i takon shtetit dhe duhet me u kthy në vendin ku e ka, duhet me u parku kerret sikur në çdo organizatë tjetër,” tha Haziri në “Jeta në Kosovë.

Kryetari i Gjilanit që është edhe nënkryetar i LDK-së u bën thirrje edhe organeve të drejtësisë që sa më parë t’i gjejnë kryerësit e këtyre veprave pasi që ai thotë se nuk dyshon në ndonjë parti politike.

“Na e kemi gjyku, shumica e subjekteve opozitare e kanë gjyku realisht dhe për veprimet politike edhe të ‘Vetëvendosjes’ të cilët janë deklaru çdo herë, në këtë rast nuk kemi deklarim të tyre që është veprim politik dhe unë lutem shumë sinqerisht që policia e shtetit me i identifiku aktorët e ndezjes së veturave private tash edhe zyrtare… Do të duhej policia e shtetit me reagu në zbardhjen e këtyre rasteve, sepse vërtet po shkaktohet panik tek qytetarët dhe tek familjarët,” tha Haziri.