Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi - Foto: KALLXO.com

Lumezi: Te Përgjimet Nuk Ka Elemente Penale

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se nuk janë gjetur elemente të veprave penale në bisedat e përgjuara, të cilat janë publikuar këto ditë në një portal informativ vendor.

“Përgjimet e publikuara janë bërë me vendim të Gjykatës dhe subjekt i atyre hetimeve ka qenë Adem Grabovci. Prokurori ndërkombëtar ka gjetur se nuk ka elemente të veprës penale në ato përgjime dhe ka mbyllur hetimin”, tha Lumezi.

Kryeprokurori gjithashtu tha se edhe sikur të kishte elemente të veprave penale ato vepra me gjasë do të ishin parashkruar deri më tani.

“Edhe po të kishte eventualisht elemente të veprave penale, si ushtrim i ndikimit apo edhe cenim i marrëdhënies së punës, me Kodin e kaluar Penal të Kosovës ato vepra do të arrinin parashkrimin ose vjetërsimin deri tani”, tha Lumezi.

Aleksandër Lumezi tha se përgjimet në cilësinë e provave janë vlerësuar njëherë dhe është vlerësuar se nuk ka vepër penale dhe se po të bëhej përsëri kjo atëherë do të cenohej siguria juridike e të hetuarve.

Lumezi megjithatë tha se këto prova do të shikoheshin dhe nëse ndërlidhen me prova të reja të gjetura ato mund të iniciojnë ndonjë hetim.

I pyetur nga gazetarët se si i komenton thirrjet e opozitës për protesta nëse prokuroria nuk ndërmerr asgjë, Lumezi tha se vetëm prokuroria e ka autoritetin e ndjekjes dhe hetimit të veprave penale.

Kryeprokurori i Shtetit është deklaruar kështu  në lidhje me bisedat e përgjuara, protagonist i të cilave janë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe zyrtarë të tjerë të PDK-së. Këto biseda të incizuara janë publikuar nga portali “insajderi.com”.