PDK paralajmëron dërgimin në Kushtetuese vendimin e Vjosa Osmanit: Nëse ka shkelje të rëndë, të japë dorëheqje
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se partia e tij do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani, për mos dekretimin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit.
Duke folur para gazetarëve, Tahiri tha se PDK ka gati një “draft” me shkeljet që i ka bërë, sipas tij, presidentja Osmani me mos dekretimin e Isufajt. E për këto shkelje Tahiri shpreson se PDK do ta ketë përkrahjen e partive tjera opozitare, për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën.
“Nesër po besojmë e kemi draftin tonë ku i bazojmë shkeljet, pra ankesën tonë në Kushtetuese, leximin tonë të kushtetueses, do ta kemi gati nesër në fund të orarit dhe të njëjtin draft do ta qarkullojmë edhe me grupe të tjera parlamentare, sepse duhet 30 deputetë” – ka thënë Tahiri.
“Ju e dini janë dy shkelje kushtetuese. “Shkelja kushtetuese” dhe “shkelja serioze kushtetuese”. Kjo e dyta është atëherë kur presidentja duhet të jep dorëheqje dhe nuk mund të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj”.
Sipas Tahirit, shkeljet e Vjosa Osmanit në këtë rast, janë mos dekretimi për 18 muaj pasi sipas tij, e ka detyrim kushtetues. Si dhe shkelja e dytë, tejkalim të kompetencave.
“Tash jemi të bindur se presidentja ka shkaktuar shkelje të rënda në dy drejtime. E para duke mos dekretuar për 18 muaj, për të cilin e ka pasur një detyrim kushtetues. Dhe e dyta është me veprimin e saj të gabuar, me mos dekretimin, që besojmë se ka tejkaluar kompetencat e saja” – tha Tahiri para gazetarëve.
Në lidhje me takimin e kryeministrit Albin Kurti me ‘pesëshën diplomatike’ të perëndimit, gjatë së shtunës, Tahiri tha se kryeministri është dashur që të mbajë konferencë për media për të informuar publikun rreth takimit.
Sipas Tahirit, një muaj pas sulmit të 24 shtatorit, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë veprim për të informuar vendet perëndimore, për sulmin e ndodhur.
“Kjo është shumë e rëndësishme. Ne i bëjmë thirrje të ketë kordinim me aleatët strategjik. Ne po kërkojmë hetim ndërkombëtar. Për një muaj nga sulmi në Banjskë ska pas asnjë veprim me i informu vendet tjera çka ka ndodhur. Ne kemi nevojë me pa qeverinë në ofensivë diplomatike me tregu fytyrën e vërtetë të Vuçiqit. Asnjë veprim të kësaj qeverie nuk e e kemi pa” – tha Tahiri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 17 tetor ka njoftuar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit, për shkak të “shkeljeve masive në këtë proces”.
Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit