‘Lodhen’ Kontrolluesit e Ndalimit të Pirjes së Duhanit

Kryeministri Mustafa në një konferencë ku u diskutua për fuqizimin e masave të zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, e pranoi se ai me kalimin e kohës po zbatohet gjithnjë e më pak.

“Kemi ulje të disiplinës dhe të angazhimit të organeve ligjvënëse dhe të organeve zbatuese. rënia e zbatimit të ligjit është shoqëruar me raportim joadekuat të misioneve zbatuese për aktivitetet e tyre, me involvim të disa inspektorëve në zbatimin e ligjit dhe moskoordinim midis institucioneve zbatuese,” tha Mustafa.

Ai deklaroi se gjykatat po i trajtojnë ngadalë paraqitjet për shkelje të ligjit të duhanit, ndërsa autoritetet komunale sipas tij kanë një përfshirje edhe më të ulët të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit.

Edhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se kontrolli i zbatimit të ligjit ka qenë më i rreptë nnë vitin 2013 dhe 2014, sesa në 2016-ën.

“Kjo ka reflektuar në përkeqësimin e gjendjes në terren, në veçanti në komunat më të vogla ku mungon involvimi adekuat i autoriteteve lokale në zbatimin e këtij ligji, sidomos në sektorin e gastronomisë ku duhani pihet në hapësira të mbyllura, pothuajse pa u penguar nga askush,” tha ministri Rrahmani.

Skender Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se numri i madh i vdekjeve të parakohshme nga pirja aktive ose pasive e duhanit në Kosovë duhet të shtyjnë institucionet që të fuqizojnë zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

“Ligjin për Kontrollin e Duhanit vë në prioritet kontrollin e duhanit me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik të gjeneratave të tashme dhe të ardhme nga pasojat shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore nga konsumimi i duhanit,” tha Syla.

Ndërsa Kryeministri Mustafa tha se qeveria ka rritur akcizën për duhan në mënyrë që kërkesa për këtë produkt të bie.

“Përpos anës ligjore, ne kemi marrë edhe masa në ngritjen graduale të akcizës në duhan, duke filluar nga 32 euro për kilogram në vitin 2014 dhe për ta rritur në 41 euro në vitin 2016, e cila ka krijuar kushte të bie pak kërkesa për duhan dhe po ashtu të sigurohen të hyra për buxhetin si pasojë e kësaj,” tha Mustafa.

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Kontrollin e Duhanit emisioni dhe gazeta “jeta në Kosovë”, por edhe KALLXO.com i kanë dhënë hapësirë shkeljeve të ligjit për duhanin që është bërë nganjëherë edhe prej zyrtarëve përgjegjës për zbatimin e tij.

Era Tym Duhani në Komunë të Gjakovës (TV)

http://kallxo.com/duhani-ndaluar-rrejshem/

http://kallxo.com/ligji-i-duhanit-shkelet-me-se-shumti-ne-klube-nate/

Ndërsa Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim(KADC) ka ofruar të dhëna se sa janë dënuar shkelësit e Ligjit për Kontrollin e Duhanit gjatë vitit 2015.

http://kallxo.com/shkelesit-e-ligjit-te-duhanit-jane-denuar-me-38-mije-euro/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri