Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Pozitë dhe opozitë replikojnë për sigurimet shëndetësore

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, dhe ai i LDK-së, Imet Rrahmani, kanë replikuar për sigurimet shëndetësore.

Deputetja Kadrijaj tha se në qeverinë e kaluar i kanë bërë shumë presion ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani për këtë çështje.

“Ka deputetë që kemi qenë edhe mandatet e kaluara dhe të gjithë kemi punuar që ta kemi rritjen e sigurimeve shëndetësore dhe e kemi pa mytë ministrin Imet Rrahmani duke i thanë se kur fillon implementimi. Meqenëse Ligji për sigurimet shëndetësore nuk ka hy në fuqi ne të vetmin presion që kemi mundur ta bëjmë iu kem i drejtuar në forma të ndryshme ministrit dhe ndoshta edhe pak e kemi ronu”, tha deputetja.

Sipas saj, Qeveria Haradinaj ka ndarë më shumë mjete për shëndetësinë.

Në anën tjetër, ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, tashmë deputet i LDK-së, tha se ligji nuk u implementua as në qeverinë aktuale.

“Unë së paku kam qenë ministër qaq i përgjegjshëm saqë pothuajse 99 për qind të pyetjeve parlamentare, jemi ardh këtë dhe ju kemi përgjigjur, se kemi parë këtë si presion por bashkëpunim. Kemi pas punu shumë  në impelementimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore. Ju e dini që ai ligj ka kaluar në Qeverinë Mustafa, por që nga rrëzimi i qeverisë nuk ka ardh në Parlament”, u shpreh deputeti.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, “si rreziku më i madh që i kanoset vendit që nga paslufta”.