Era Tym Duhani në Komunë të Gjakovës (TV)

Armend Vokshi, drejtor i Drejtorisë për Punë të Përgjithshme Administrative, kishte ndier erën e tymit të duhanit në objektin e komunës së Gjakovës më 12 shkurt, teksa po kryente punët e tij të përditshme.

Pasi duhani është ndaluar në hapësirat publike me ligj, të hyrë në fuqi me 22 maj të vitit 2013 dhe Vokshi është përgjegjës për personelin e administratës komunale, ai atë ditë kishte nisur një inspektim, duke hyrë nëpër të gjitha zyrat ku punojnë kolegët e tij.

“Në momentin që e kam ndier erën e duhanit, kam filluar t’i kontrolloj rend zyrat dhe në zyrën ku ishte z. Faik [Bordoniqi] e kam parë që ishte me cigare në dorë, si dhe tabllën[taketuken] e kishte në tavolinë dhe paqetën e cigareve Marlboro”, thotë Vokshi. 

Faik Bordoniqi është drejtor i Punëve Inspektuese në Komunën e Gjakovës dhe detyrë e tij është pikërisht zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Bordoniqi thotë se nuk është zënë duke pirë duhan në zyrë.

“Unë nga drejtori i Administratës Armend Vokshi nuk jam hasur duke pirë duhan, pasi i njëjti në zyrën time e ka shti kryet dhe posa më ka parë ka thënë se po vika era duhan dhe me ka akuzuar”, jep versionin e tij Bordoniqi.

Ai shton se Vokshi “nuk ka fakte se unë kam pi duhan në zyrë”. Por Armend Vokshi shpjegon në detaje reagimin e Bordoniqit, ditën e 12 shkurtit.

“Ka qenë i shtanguar dhe automatikisht më ka kërkuar falje dhe tha se nuk do të ndodhë më”, precizon situatën Vokshi.

Zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, sipas nenit 19 të tij kanë për detyrë ta zbatojnë inspektorët sanitarë, ata shëndetësorë, të tregut, të punës, të arsimit, të transportit, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Policia e Kosovës.

Vokshi thotë se për pirjen e duhanit nga ana e Faik Bordoniqit në hapësirën e mbyllur publike të komunës, ka dërguar fletëparaqitje te Marjan Marku- shefi i Inspektoratit Sanitar, në mënyrë që rasti të shkojë në gjykatë.

Marku shpjegon se nuk e ka dërguar Bardoniqin në gjyq, ngase sipas tij Vokshit i mungojnë faktet e mjaftueshme për këtë gjë.

“Nuk e kam dërguar në gjykatë se si person dhe si inspektor tërë jetën e kam kaluar në rolin e edukatorit, qëllimi i jem në jetë është me i edukuar njerëzit, me i vetëdijesuar dhe pastaj me i qortuar, deklarata e z. Vokshi është pa asnjë argument dhe tendencioze”, thotë Marku.

Kur hyri në fuqi ligji për ndalimin e plotë të duhanit në hapësira publike, inspektorët nuk startuan me dënime të menjëhershme për moszbatimin e tij, derisa qytetarët dhe subjektet afariste të mësohen me këtë ndalesë dhe të vetëdijesohen. Por kanë kaluar nëntë muaj prejse ligji ka hyrë në fuqi. 

Edhe drejtori i Inspektoratit, Faik Bordoniqi e quan tendencioze dhe personale fletëparaqitjen e Armend Vokshit.

Marku, nga Inspektorati Sanitar shkon edhe më tutje. E quan të ngutshëm denoncimin e Vokshit për kolegun e tij.

“Ai është djalë i ri dhe mendoj se është duke u munduar ta tregojë veten para kryetares, kinse është duke punuar”, thotë Marku.

Por Vokshi thotë se ai nuk do të ndalet më kaq, sepse qysh në fillim i kishte paralajmëruar të gjithë se nëse e thyejnë ligjin, ai do të raportonte.

Nëse argumentohet me fakte nga ana e Vokshit, se shefi i Inspektoratit ka shkelur ligjin, atëherë Komuna e Gjakovës sipas ligjit do të dënohet me 3500 euro, Kuvendi Komunal me 500 si dhe Bordoniqi me 50 euro. Kjo rregullohet me nenin 21 të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Por Marku nuk dëshiron të dalë kundër komunës. 

“Unë nuk mund të dal kundër Kuvendit Komunal, kundër kryetares dhe kundër z. Bordoniqi, sepse në këtë rast z. Bordoniqi dënohet vetëm 50 euro. Unë nuk mund  të paraqes padi në gjykatë dhe të jem i pari inspektor sanitarë në Kosovë që paditë kuvendin, që paditë kryetaren e vetë, pa argument, se pse ”, thotë Marku.

Gazeta Jeta në Kosovë edhe në fillim të muajit kishte raportuar për shkelje të ligjit të duhanit në lokalin e njërit nga Inspektorët  e kësaj komune. Dhe vetëm pas raportimit komuna vendosi ta dërgojë rastin në gjykatë.

Në një konferencë për zbatimin e Ligjit të Duhanit, organizuar nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) në bashkëpunim me Zyrën e Organizatën Botërore të Shëndetësisë si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, të organizuar në shkurt, u tha se Gjakova është njëri nga vendet që bën më së shumti përpjekje për zbatimin e ligjit anti-duhan.