Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Imet Rrahmani për foton e Zemajt në tubim politik: Besoj që ministri u ka thënë ta mbajnë maskën

Ish-ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Isa Mustafës, Imet Rrahmani, i ftuar në “Kallxo Pernime” përballë Jeta Xharrës e ka komentuar fotografinë e bashkëpartiakut të tij, ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, në të cilën ky i fundit shihet në një tubim politik, duke mos respektuar masat anti COVID-19.

Rrahmani deklaroi se beson që ministri u ka thënë të pranishmëve vendosni maskat, por sipas tij, njerëzit arsyetohen për mos vendosjen e tyre.

“Unë besoj që ministri u ka thënë vendonsi maskat, por përgjigja ka qenë ‘jo unë e kam kalu’ , ‘hajt se nuk ka virus’, ‘çka po tutesh’ e qisi sene. Këto fjalë janë përditshmëri të cilat po na shkaktojnë probleme dhe besoj që më së shumti probleme i kanë shkaktu profesionistëve shëndetësorë”, tha Rrahmani.

Ndërsa në lidhje me tubimet e partive politike, Rrahmani tha se ‘fatkeqësisht’ këto tubime po imponohen”, e sipas tij është brengosëse.

“Unë mundohem personalisht që edhe në tubime me e mbajtë maskën, me iu sugjeru të tjerëve që me mbajtë. Si mjek them se këto tubime janë brengosëse dhe mosrespektimi i masave të rekomanduara nga Instituti, mund të rrisë numrin e të infektuarve dhe mund të shkaktojë probleme të cilat po mundohemi me i sanu të gjithë bashkë”.

“Janë reduktu takimet e partive politike në raport me fushatat e tjera në masë shumë të madhe, por ka edhe ato hapësira ku tubohemi, sidomos në institucionet publike, ka edhe dezinfektues, ka edhe maska, mundohemi me i bind të tjerët që të vendosin maskën, por megjithatë rreziku është shtu, për shkak të tubimeve”, tha ish-ministri i Shëndetësië, Imet Rrahmani.