Imet Rrahmani i LDK-së kundër shamisë dhe martesave në mes gjinisë së njëjtë

Në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës, ish-ministri i Shëndetësisë, tani kandidat për deputet nga radhët e LDK-së Imet Rrahmani tregon se nëse merr mandatin e deputetit do të avokoj për themelimin e Universitetit të Shkencave Shëndetësore, ndërsa shton se nuk e ka ndërmend ta lë subjetin e tij politik.


Në një intervistë për KALLXO.com, Rrahmani thotë se kauza që do të shtyej përpara nëse fiton mandatin e deputetit do të jetë që të respektohet ligji të ketë reforma në arsim si dhe do të i jap përkrahje sektorit publik.

Në lidhje me mbajtjen e pozitës për të cilën po kandidon apo kalimit në ndonjë post tjetër ministror, Rrahmani zgjedhjen ia lë partisë së tij.

Sipas Rrahmanit, taksat të cila duhet të ulen në Kosovë janë ato që favorizojnë të bërit biznis ndërsa shton se taksat që duhet të rriten janë ato që ndotin ambientin.

Në lidhje me amandamentet e para të cilat mendon të i propozoj Rrahmani nëse fiton besimin e qytetarëve për deputet, janë ato që lidhen edhe me shëndetësi.

“Do të avokoj në themelimin e Universitetit të Shkencave Shëndetësore, ligjin e pagave, shëndetësia të trajtohet veçantë, kam vullnet që shqiptarët e Kosovës lindore të u krijojmë hapësirë në shkollim si dhe zhvillimin e zonave të gjelbërta”, thotë ai në intervistën për KALLXO.com.

Tri problemet në Komunën e Gjilanit sipas Rrahmanit janë, uji, ndotja e ajrit dhe papunësia.

Ish-ministri i Shëndetësisë as tani nuk mendon ta lë partinë ku është ndërsa shton edhe se nuk do të votojë asnjëherë kundër qëndrimit të Grupit Parlamentar të LDK-së.

“Jo që 30 vite se kam ndërru (partinë), e lë politikën e jo partinë”, u përgjigj Rrahmani.

Personat me nevoja të veçanta do ta kenë përkrahjen e Rrahmanit nëse merr mandatin e radhës të deputetit.

Ai shton edhe se çfarë do të bëj për përmirësimin e ajrit të ndotur dhe ambientit në Kosovë.

“Do të mundohem që të avokoj në krijimin e zonave të gjelbëra”, tha ai .

Rrahmani dha qëndrimet e tij edhe për pyetjet e KALLXO.com të cilat i ka renditur tema specifike dhe të cilat kanë marrë vëmendje të madhe si në shoqëri ashtu edhe në media.

Rrahmani ka thënë se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit si dhe përdorimit të qeseve të plastikës.

Ai shton se është për shitjen e Telekomit të Kosovës ndërsa kundër ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

Ai shton se është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë dhe heqjes së tarifës me të njëjtin vend.

Në lidhje me ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës, Rrahmani thotë se është kundër ndërtimit të pakontrolluar.

Gjithashtu Rrahmani thotë se është për mbylljen e Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit . Tutje Rrahmani tregon edhe se është kundër monopolit në homologim dhe kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë.

Edhe për bartjen e shamive në shkolla Rrahmani thotë se është kundër ndërsa thotë se është për kuotë për deputetë nga diaspora.

Ai shton edhe se është për ridizjanimin e skemës për veteranët e luftës si dhe heqjen e kartonit të gjelbër për diasporën.

Rrahmani thotë se për financimin e fushatës po përkujdeset bashkë me bashkëshorten ndërsa tregon edhe se me profesion është mjek por ka punuar me gjysmë orari kur ka qenë deputet.

E për të hyrat mujore ai përgëzon gruan më shumë se veten.

“Të hyrat mujore i kam prezantuar në AKK por gjithë bashkëshortja ka marrë pagë më shumë se unë”, tregon ai duke shtuar se ka edhe pasuri të përbashkët me bashkëshorten.

Ai tregon se kur ka nevojë për trajtim mjekësor shërohet në spitale publike aty edhe ku punon ndërsa shton se nuk do të ndërroj mendje që të përdor sërish spitalet publike edhe nëse bëhet deputet.

Rrahmani tregon se fëmijët i ka në shkolla publike deri sa shton se ka shumë familjarë të papunë por që duhet të konkurojnë vetë që të punësohen.

“Kam shumë familjarë të papunë, asnjë se kam punësuar jashtë normave dhe ligjeve, të gjithë ata që konkurojnë dhe e meritojnë punësohen vetë”, tha ai.

Fati i Trepçës sipas Rrahmanit duhet të mbetet nën qeverisje shtetësore ndërsa flet edhe për kushtëzimin e votës së tij.

“Nuk besoj se do të vie puna që të kuzhtëzoj votën”, ka thënë shkurt Rrahmani në intervistën për KALLXO.com.

Rrahmani tregon edhe se me cilin projekt do të lë gjurmë si deputet.

“Idea është që të loboj për universitetin mjekësor dhe krijimin e zonave të gjelbra”, tha ai.

Deri në 10 pyetje parlamentare do të parashtroj Rrahmani brenda një viti ndërsa nuk jep numër për takimin me qytetarë duke e quajtur të pakufizuara.

Sipas tij makinat më të vjetra se 10 vite nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë dhe shton se nuk e di numrin se sa dëgjime publike do të i inicioj nëse është në ndonjë komision pasi që sipas tij e gjithë kjo varet nga komisioni.

Rrahmani thotë se nëse ka aktakuzë të bazuar do të jap dorëheqje nga posti që do marr e për kryeministrin thotë se nëse ka aktakuzë ai duhet të jap dorëheqje vetë jo të votojnë për rrëzimin e qeverisë.

Ai shton se nuk beson se LDK do të ketë mbi 15 ministri nëse merr besimin e qytetarëve që të drejtor qeverinë dhe sipas Rrahmanit një ministri duhet të i ketë maksimumi 2 zëvendësministra.

Rrahmani thotë se nuk do të votoj për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim ndërsa shton se do të bëj transparente fondet e partisë si dhe shpenzimet në kuvend apo ministri.