Lirohen 3 Aktivistë të LVV-së
Lajmin për arrestimin e Zgjim Hysenit, Egzon Azemit, Arbër Morinës dhe Lekë Isufit e bëri të ditur Lëvizja “Vetëvendosje”, duke i konsideruar veprimet e policisë gjueti ndaj aktivistëve.
“Policia e Kosovës vazhdon gjuetinë ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Aktivistët Zgjim Hyseni, Egzon Azemi, Arbër Morina dhe Lekë Isufi janë arrestuar gjatë periudhës që po merreshin me aktivitetet e planifikuara për datën 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Sot ky subjekt politik në Hotelin “Grand” organizoi një diskutim në lidhje me moszbatimin e ligjit për viktimat e dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës.
Por policia në njoftimin e saj jep arsye tjetër të arrestimit të 4 aktivistëve.
“Sot rreth orës 16:00 policia ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët në Rrugën ‘Fazli Grajçevci’ në Prishtinë, janë përpjekur të ndalojnë eskortën e Kryeministrit të Kosovës,” thuhet në njoftimin e policisë.
Kryeministri Isa Mustafa për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas vizitoi sot Monumentin “Heroinat” të ndërtuar në kujtim të sakrificave të grave për lirinë e Kosovës.
Policia thotë se aktivistët janë dërguar në stacion për moszbatim të urdhrave të policëve të trafikut.
Sipas policisë ndaj 4 aktivistëve është hapur rast për këtë gjë, ndërsa tre prej tyre janë liruar.
Në qendrën e paraburgimit policor është dërguar vetëm i arrestuari Zgjim Hyseni.
“Ndërkohë që i dyshuari Z. Hyseni ka rezultuar të jetë i kërkuar me urdhëresë aktive nga ana e gjykatës dhe i njëjti është dërguar në qendrën e paraburgimit për procesim të mëpastajmë para gjykates themelore,” sqaron policia.
Hyseni, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje” është njëri nga të kërkuarit për gjykimin rreth dëmtimit të makinave të EULEX-it në vitin 2009, ku të akuzuar janë 26 aktivistë dhe 1 ish-aktivist i këtij subjekti.
http://kallxo.com/13-aktiviste-te-vv-se-ne-gjykim/ [interaction id=”56df371e4ab46a0103a57833″]