Lëvizja Vetëvendosje vazhdon tubimet kundër Qeverisë Haradinaj

Lëvizja Vetëvedosje ka vazhduar edhe sot të mbajë tubime me qytetarët pas paralajmërimit për protesta dhe mocion mosbesimi ndaj ‘Qeverisë Haradinaj’.

Kurti ka mbajtur sot tubim me qytetarët e Podujevës, ku përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se në këtë tubim kishte pjesëmarrje masive.

“Pjesëmarrja masive në tubimin kundër PAN-hajnisë, tregon vendosmërinë e qytetarëve të Llapit dhe të gjithë Kosovës për një shtet që realizon idealet e dëshmorëve dhe përkujdeset për të tashmen e të ardhmen”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, secila qeveri e pasluftës ka rritur papunësinë dhe ka nxitur ikjen e rinisë nga vendi, pasi sipas tyre nga viti 2013 deri në vitin 2017 nga vendi ynë janë larguar mbi 173 mijë persona apo rreth 9% e popullsisë.

“Ndërkohë 48% e qytetarëve të anketuar janë pesimistë se mund të bëhet mirë në Kosovë. Kjo tregon se republikës sonë i duhet ndryshim, i duhet një qeverisje e re që i jep fund arsyeve që e shtyjnë rininë të largohet dhe rikthen shpresën së në atdheun tonë mund të punohet për një jetë më të mire”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje tutje ka njoftuar se qytetarët e Podujevës në tubimin e mbajtur sot në Besianë, “kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër qeverisjes të bashkuar në PANhajni të cilët po gërryejnë shtetin, po vjedhin xhepat e qytetarëve e po punësojnë familjarë në institucione e ndërmarrje publike”.

“Së bashku me qytetarët e Llapit e gjithë Kosovës do të vazhdojmë të angazhohemi pa u ndalur së bashku, deri në zgjedhje të reja e deri në një qeveri të ndryshimit, me mendësi shtetndërtuese dhe vlera të reja të qeverisjes”, njofton VV.

Para dy ditëve, në një konferencë për media, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka paralajmëruar protesta dhe mocion mosbesimi ndaj ‘Qeverisë Haradinaj’.

Tubimi i parë u mbajt në Vushtrri ndërsa ai i rradhës është në Mitrovicë.

Kurti ka thënë se korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse sipas tij investimet, rendimentet dhe arsimi po bien falë qeverisë aktuale.

“Prej ditës së nesërme fillojmë me tubime me qytetarë, kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja. Në ora 14:00, në Sheshin “Adem Jashari”, nesër, pra të premten, jemi në Vushtrri. Pasnesër, të shtunën, në ora 13:00, në Besianë (Podujevë), kurse në ora 15:00, në Mitrovicë. Me këto tubime nëpër komuna gjithandej Kosovës shkojmë bashkë drejt protestave qytetare dhe mocionit të mosbesimit në Kuvend që e largon këtë qeveri dhe mundëson zgjedhjet e parakohshme demokratike për ndryshimet e dosmosdoshme politike, ekonomike e shoqërore”, tha Kurti.

Kurti shtoi se edhe taksa 100 përqind ndaj produkteve serbe e vendosur nga kryeministri Haradinaj është e pa menduar mirë.

“Taksën e vendosën 10% e mandej 100%, pa plan, pa strategji, pa papërllogaritje e pa mbikëqyrje të zbatimit, në vend se të marrin vendim për reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, nga i cili hoqën dorë. Sidoqoftë, tash që Vuçiqi na kushtëzon kurrsesi nuk bën të hiqet kjo taksë, ama nuk pranojmë që në emër të kësaj takse të legjitimohet zhvatja e keqqeverisja”, tha lideri i VV-së.

Ai vazhdoi kritikat ndaj punës së Qeverisë e cila udhëhiqet nga koalcioni PAN.

“Ky kryeministër, emëroi 23 ministra, mbi 80 zëvendësministra, 5 zëvendëskryeministra, e 35 këshilltarë, pa asnjë bazë të arsyeshme dhe në shpërfillje të nevojave e me shpërdorim të buxhetit. Zyrtarë politikë me aktakuza për keqpërdorim e korrupsion i ricikluan si ministra dhe zëvendësministra. Kërcënoi ish prokurorin e vetëm që shprehu integritet profesional dhe guxim publik, Elez Blakajn”, tha Kurti duke e akuzuar Haradinajn edhe për takime me Milan Radojçiq.

Lideri i VV-së nuk e la pa ia përmendur Haradinajt edhe demarkacionin me Malin e Zi.

“I mashtroi qytetarët në Kosovë se do të korrigjonte marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ndërsa ka falur 8.200 hektarë nëpërmjet ratifikimit në Kuvend. Premtoi se për 90 ditë qeverisje do të merret liberalizimi i vizave. Nuk e mbajti fjalën, sepse qysh në fillim ka gënjyer për këtë”, tha Kurti.