Kurti ne konference per media/ Foto: KALLXO.com

Albin Kurti nis protestat kundër Ramush Haradinajt

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka paralajmëruar protesta dhe mocion mosbesimi ndaj ‘Qeverisë Haradinaj’.

Ai në një konference për media tha se korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse sipas tij investimet, rendimentet dhe arsimi po bien falë qeverisë aktuale.

“Prej ditës së nesërme fillojmë me tubime me qytetarë, kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja. Në ora 14:00, në Sheshin “Adem Jashari”, nesër, pra të premten, jemi në Vushtrri. Pasnesër, të shtunën, në ora 13:00, në Besianë (Podujevë), kurse në ora 15:00, në Mitrovicë. Me këto tubime nëpër komuna gjithandej Kosovës shkojmë bashkë drejt protestave qytetare dhe mocionit të mosbesimit në Kuvend që e largon këtë qeveri dhe mundëson zgjedhjet e parakohshme demokratike për ndryshimet e dosmosdoshme politike, ekonomike e shoqërore”, tha Kurti.

Kurti shtoi se edhe taksa 100 përqind ndaj produkteve serbe e vendosur nga kryeministri Haradinaj është e pa menduar mirë.

“Taksën e vendosën 10% e mandej 100%, pa plan, pa strategji, pa papërllogaritje e pa mbikëqyrje të zbatimit, në vend se të marrin vendim për reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, nga i cili hoqën dorë. Sidoqoftë, tash që Vuçiqi na kushtëzon kurrsesi nuk bën të hiqet kjo taksë, ama nuk pranojmë që në emër të kësaj takse të legjitimohet zhvatja e keqqeverisja”, tha lideri i VV-së.

Ai vazhdoi kritikat ndaj punës së Qeverisë e cila udhëhiqet nga koalcioni PAN.

“Ky kryeministër, emëroi 23 ministra, mbi 80 zëvendësministra, 5 zëvendëskryeministra, e 35 këshilltarë, pa asnjë bazë të arsyeshme dhe në shpërfillje të nevojave e me shpërdorim të buxhetit. Zyrtarë politikë me aktakuza për keqpërdorim e korrupsion i ricikluan si ministra dhe zëvendësministra. Kërcënoi ish prokurorin e vetëm që shprehu integritet profesional dhe guxim publik, Elez Blakajn”, tha Kurti duke e akuzuar Haradinajn edhe për takime me Milan Radojçiq.

Lideri i VV-së nuk e la pa ia përmendur Haradinajt edhe demarkacionin me Malin e Zi.

“I mashtroi qytetarët në Kosovë se do të korrigjonte marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ndërsa ka falur 8.200 hektarë nëpërmjet ratifikimit në Kuvend. Premtoi se për 90 ditë qeverisje do të merret liberalizimi i vizave. Nuk e mbajti fjalën, sepse qysh në fillim ka gënjyer për këtë”, tha Kurti.