Lëvizja për Bashkim

Lëvizja për Bashkim: Platforma e dialogut, kompromise të reja

Lëvizja për Bashkim thotë se që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi, e veçanërisht kohëve të fundit, partitë politike në Kosovë kanë qenë të çorientuara në lidhje me dialogun me Serbinë.

“Qeveria e re përmes dokumentit të publikuar rishtazi, i cili as për së afërmi nuk është një platformë, nuk ka bërë tjetër vetëm se e ka ricikluar konceptin e vjetër të bisedimeve, thelbi i të cilave është: kompromise ndaj pakicës serbe në favor të integrimeve ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e LB-së.

Sipas tyre, kjo qasje ndaj bisedimeve jo vetëm që nuk ka zgjidhur asgjë, por ka shkuar duke i komplikuar e duke i vështirësuar gjërat.

“Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi nuk e ka pasur të qartë se çka vërtet i duhet Kosovës të bëjë në këto bisedime”.

Ata thonë se VV fillimisht ka dalë me qëndrimin kategorik kundër bisedimeve, me sloganin “Jo negociata, vetëvendosje!”, pastaj me 10 kushtet për bisedime, më vonë me konceptin se nuk duhet të bisedohet me Serbinë, por vetëm me serbët e Kosovës dhe së fundi me tri faza paraprake për bisedime me Serbinë, që siç thotë LB “çuditërisht njëra nga fazat parasheh edhe zbatueshmërinë e marrëveshjeve të deritanishme”.

Sipas tyre e gjithë kjo tregon i se partitë politike të Kosovës duhet të reflektojnë thellë në lidhje me këtë çështje.

“Ato duhet doemos të ulen e ta hartojnë një platformë të përbashkët politike për këto bisedime, në qendër të së cilës do të duhej të ishte reciprociteti në të drejta në mes të shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, si rregullatori më i mirë i raporteve ndërshtetërore”.