Letra me Vlerë për Diasporën

Në një paraqitje para medieve ministri Hoti tha se ka filluar fushata informuese për këtë mundësi që i jepet diasporës.

Ai tregoi se këto letra me vlerë ose bono thesari për diasporën do të jenë të vlefshme 20 milionë euro, ndërsa do të koncentrohen në investime në bujqësi.

“Këtë vit për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të emërtohen ‘Bono për Diasporën’ dhe do të kenë afat maturimi prej pesë vjetësh, mirëpo me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja,” tha Hoti.

Këtë lëvizje të ministrisë që drejton, Hoti e quati shumë të favorshme për diasporën.

“ Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi,” tha ministri Hoti.

Po ashtu, ai tregoi se Ministria e Financave gjatë fushatës informuese në ditët në vijim do të njoftojë për detajet e tjera lidhur me këtë produkt, duke përfshirë edhe normën e interesit si dhe procedurat për investim.

Gjatë këtij prezantimi Ministri Hoti paraqiti një kronologji të zhvillimit të tregut të letrave me vlerë duke bërë të ditur se nga viti 2012 kur Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), por edhe me sektorin bankar emetoi për herë të parë bono thesari në vlerë 10 milionë euro, në vitin 2016 qarkullimi i portofolios arriti në vlerën prej afro 400 milionë eurosh.

Letrat me vlerë për diasporën Avdullah Hoti i përmendi së pari në muajin shkurt.

Po në shkurt kur Qeveria e Kosovës emetoi bono thesari në vlerën e 25 milionë eurove, Ministria e Financave me anë të një komunikate njoftoi se kërkesa për letra me vlerë është shumë më e madhe se emetimi i tyre.

http://kallxo.com/bankat-blereset-kryesore-te-letrave-me-vlere/ [interaction id=”56f1543aa01a31a05d274585″]