LDK: Thaçi të merret me patatet e bllokuara, jo me bashkim me Shqipërinë

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani tha sot se ideja e presidentit Hashim Thaçi për bashkim me Shqipërinë është një shaka.

Ajo në një konferencë për media tha se nuk duhen të merren seriozisht deklarata të tilla të Thaçit.

“Ne si LDK nuk e marrim asnjë ide të presidentit seriozisht. Unë besoj që ai ka degjenruar aq shumë që është për keqardhje ai po e dëmton institucioni që e udhëheq duke bërë shaka me interes të qytetarëve tanë. Shakatë e presidentit dhe jo serioziteti i tij duhet të injorohen nga secili prej nesh, mos ta marrim seriozisht atë”, tha Osmani.

Tutje deputetja e LDK-së theksoi se presidenti duhet të merret me “patatet që po ndalohen në Shqipëri”.

“Ai le të merret me patatet që po bllokohen në Shqipëri e me gjithë ato pengesa para se të dal dhe të flas të me ide të tilla”, shtoi Osmani.

Osmani foli edhe për Raportin për Zgjerimin të Komisionit Evropian, ku sipas saj, Kosova është cilësuar si shtet i kapur.

“Sa i përket sundimit të ligjit një gjë është e qartë që politizimi i skajshëm dhe presioni mbi gjyqësorin dhe prokurorin mbetet pengesa themelore që Kosova të shënoj progres në këtë drejtim. Madje tregohet që ka shpresa shumë të vogla që mund të arrihet zbatimi i sundimit të ligjit pasi Kosova nuk dëshmon që ka një elitë politike që nuk bën presion mbi këtë sistem”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti Armend Zemaj tha se në raporti tregon se moszbatimi të programit të MSA-së.

“Raporti për Kosovën ka vlerësuar se vendit tonë i ka munguar vullneti politik për avancimin e rrugës euro-integruese. LDK-ja i ka tërhequr vërejtjen disa herë për mungesë të vullnetit politik koalicionit PAN. Është evidente që avancimi do të jetë i pamundur kur kemi parasysh se korrupsioni është përhapur nëpër të gjitha vendet institucionale dhe sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimi të plotë politikë”, shtoi Zemaj.