Foto: Facebook

LDK: Sulm që Synon ta Fusë Vendin në Kaos e Anarki

Shpërthimi i  mbrëmshëm afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës është veprim kriminal kundër institucioneve shtetërore dhe që synon ndaljen e progresit të Kosovës në zhvillimin dhe forcimin e Kosovës.

LDK përmes një komunikate ka dënuar sulmin të cilin e vlerësojnë si të rëndë dhe kriminal.

“LDK-ja konsideron se veprime të tilla kriminale të drejtuara kundër institucioneve shtetërore, synojnë të ndalin progresin e Kosovës në proceset euroatlantike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së këto akte kanë për synim që të zhysin vendin në kaos dhe anarki.

“Akte të tilla të dhunshme, kanë për synim direkt që të zhysin vendin në kaos dhe anarki dhe që të ndalin proceset e rëndësishme euro integruese para të cilave ndodhet Kosova, duke filluar nga nisja e lëvizjes së lirë”, thuhet më tutje.

LDK fton organet kompetente që të zbardhin ngjarjen dhe kryerësit të vihen para organeve të drejtësisë.

“Duke ftuar organet kompetente të shtetit që të zbardhin ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë kryesit e këtyre akteve kriminale, LDK-ja shpreh përkushtimin e saj të plotë që të vazhdojë kontributin në avancimin e proceseve demokratike. Njëkohësisht, LDK fton të gjitha subjektet tjera që të distancohen qartësisht nga veprime të tilla kriminale dhe të jenë pjesë e agjendës nacionale të Kosovës, në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe vendet e BE-së”, thuhet në fund të komunikatës së LDK-së.