LDK: Shqetësuese dyshimet e Auditorit për keqpërdorimin e mbi 800 mijë eurove

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur konferencë për media në të cilën shefi i grupit parlamentar njëherësh edhe anëtari i Komisionit për mbikëqyrje të financave publike, Avdullah Hoti ka folur për gjetjet e Auditorit për Zyrën e Kryeministrit.

Sipas Hotit, është shqetësuese sesi qeveria Haradinaj abuzon me buxhetin e shtetit përmes subvencioneve.

“Sot do të adresoj një çështje shqetësuese për mënyrën sesi Qeveria e Kosovës po abuzon me buxhetin e shtetit tash përmes subvencioneve. Nga 1.7 milion sa kanë qenë në vitin 2017 buxheti për subvencione është trefishu në 3.6 milionë”, tha Hoti.

Hoti nuk la pa përmendur edhe dyshimet e Auditorit për keqpërdorimin e buxhetit përmes OJQ-ve.

“Ndarja e mjeteve auditori gjen se është bërë me plot shkelje. Shkelja e parë është që janë anashkaluar procedurat për subvencionim të OJQ-ve që janë të parapara me rregullore. Shkelja e dytë edhe pasi janë nda mjetet nuk është nënshkruar kontrata mes zyrës dhe kësaj OJQ-je, e cila kontratë duhet të parashihte aktivitetet që do të mbaheshin, për këto mjete që janë ndarë është paraparë që në fakt Ministria e Mjedisit të merret me planifikimin e mjeteve në aspektin logjistik dhe financiar. Në fakt Zyra e Kryeministrit është marrë më të gjitha çështjet”, tha ai.

Sipas tij organizata ‘Let’s do It Kosova’ ka marrë edhe një subvencion tjetër nga Zyra për Komunitete e për të cilin nuk ka bërë ndonjë aktivitet.

“Të gjitha pagesat që arrijnë në mbi 800 mijë euro janë bërë nga faturat e kësaj OJQ-je, nuk ka asnjë raport për punët e kryera nga kjo OJQ. Për të njëjtin projekt, e njëjta OJQ ka marrë edhe 30.000 mijë euro nga Zyra për Komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ka marrë këto para për projektin ‘Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe interesave të komuniteteve’ ndërkaq aktivitete që ka kryer janë të njëjtat me aktivitete që i përmenda pak më herët, Ta pastrojmë Kosovën”, tha Hoti.

Hoti e konsideroi shumë shqetësues edhe faktin e një OJQ ka përfituar dy subvencione nga e njëjta OJQ nga institucione të ndryshme, nga kuvendi, qeveria ose nga ministritë përkatëse.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, paralajmëroi që shkeljet që ka gjetur raporti i auditorit do të diskutohen nga Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

“Ky raport nuk do të mbetet me kaq, ky raport do të shqyrtohet në komisionin për mbikëqyrje të financave dhe eventualisht në mbledhjet e ardhshme do të shkojë edhe në kuvend që të merren me keqpërdorime milionëshe të financave”, theksoi Hoti.

Në janar të këtij viti kishte përfunduar aksioni ‘Ta pastrojmë Kosovën’, dhe ishte cilësuar si njëra nga fushatat më të suksesshme si nga krerët shtetëror ashtu edhe nga organizatorët.

Mirëpo Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në analizimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Kryeministrit kanë se thënë nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse fondet në vlerë prej 815,035€ të cilat qeveria e Kosovës i ka ndarë për themelimin e Task Forcës për pastrimin ne ambientit në Kosovë janë shpenzuar në mënyrë të rregullte dhe në përputhje me ligjin.

I kontaktuar ditë më parë nga KALLXO.com, drejtori i organizatës Let’s do It Kosova, Luan Hasanaj, ka thënë se puna është bërë në mënyrë korrekte dhe transparente.

“Ne kemi m’e kërku përgjigje prej Auditorit, me e pa se ku janë këto probleme. Ne e kemi një vendim Qeverie i cili e ka aprovuar kërkesën tonë, fillimisht për krijimin e Task Forcës për pastrimin e Kosovës në të cilin kanë marrë pjesë shumë ministri, shumë institucione tjera, mandej kjo Task Forcë ka qenë ajo e cila i ka aprovuar të gjitha raportet, kërkesat të cilat kanë dalë si rrjedhojë e takimeve që janë mbajtë për pastrimin e Kosovës”, ka thënë Hasanaj.

 

https://kallxo.com/dyshimet-per-parregullsi-ne-fushaten-per-pastrim-qeveria-nuk-i-konteston-gjetjet-hasanaj-ka-dyshime/

.