Ndahen 500 kontejnerë dhe 500 shporta për disa komuna

Organizata “Let’s do it Kosova” ka bërë ndarjen e 500 kontejnerëve dhe 500 shportave për 12 komuna të vendit, të cilat janë përzgjedhur në bazë të angazhimit të tyre në fushatën e kësaj organizate, të mbajtur  nga 15 shtatori deri 15 dhjetor të vitit të kaluar.

Drejtori i “Let’s do it Kosova”, Luan Hasanaj, ka thënë se kjo ishte mundësia për momentin për t’i ndihmuar komunat me pajisje, duke shpresuar që në të ardhmen t’i ndihmojnë më shumë.

“Ne e dimë që një prej faktorëve kryesorë që ta kemi Kosovën të pastër është angazhimi i kompanive të pastrimit. Kur kemi filluar me fushatën “ta pastrojmë Kosovën” kemi mendu që përpos angazhimit që ne e bëjmë në fushatë për t’i ftuar njerëzit që të mos gjuajnë bërllok vend e pa vend, provojmë të bëjmë diçka sado simbolike. Kemi dashtë shumë më shumë, por kjo ka qenë mundësia këtë herë t’i ofrojmë këto shporta dhe kontejnerë që do t’i shpërndani nëpër lokacione të cilat ju i vlerësoni që ka nevojë”, ka thënë Hasanaj.

Komunat përfituese të kontejnerëve dhe shportave janë komuna e Junikut, Podujevës, Pejës, Istogut, Mitrovicës, Malishevës, Deçanit, Skenderajt, Lipjanit, Shtimes, Rahovecit dhe Prizrenit.