Foto: Let's Do It Kosova

Sa para morën mediat për reklamim dhe transmetim të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”

Në raportin financiar në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” tregohen shpenzimet e përgjithshme gjatë aktivitetit për pastrimin e Kosovës por pa u përmendur se kush janë kompanitë e bizneset që morën kontrata.

Në këtë raport tregohen shpenzimet për të gjitha ato që janë blerë e janë hargjuar gjatë kësaj fushate.

Gjithashtu në raport ka zënë vend edhe reklamimi e transmetimi i fushatave në mediat kosovare aty llogaritet të jenë shpenzuar për prodhim e transmetim mbi 70 mijë euro

Pagesa e minutazhës në televizione, për videot vetëdijësuese përgjatë projektit ka kushtuar 9 mijë e 500 euro.

Transmetimi në televizione nacionale nga 10 shtatori për videot promovuese dhe fushatat e tjera ka kushtuar 36 mijë e 500 euro.

Në anën tjetër promovimi i fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, aktivitetet promovuese, eventet, show, ftesat, broshurat dhe fletushkat kanë kushtuar 27 mijë e 718 euro.

Video reportazhes për të gjitha aksionet dhe komunat përgjatë aksionit të pastrimit kanë kapur vlerën e 10 mijë eurove.

Shpenzimet e tjera

Organizimi i transportit për vullnetarët në tërë territorin e Kosovës gjatë aksionit ka kushtuar 15 mijë euro.

Marrja me qira dhe brendimi i autobusit ka kushtuar 9 mijë euro, ndërsa transporti për 5 mijë vullnetarëve përgjatë brezit rrugor ka kushtuar 15 mijë euro.

Hartizimi i deponive ilegale në brezin rrugor dhe lanësimi i platformës për raportim “trash out” sipas raportit financiar ka kushtuar 8 mijë e 500 euro.

Furnizimi me thasë 120 litërshe me lidhëse ka kushtuar 19 mijë e 470, furnizimi me maica me krah të shkurtër, dizajnim dhe shtypja e llogove si dhe distribuomi në tërë Kosovën ka kushtuar 159 mijë e 890 euro.

Doreza të thjeshta u kanë kushtuar fushatës 34 mijë euro ndërsa dorezat e gjata me llogo të shtypur dhe material të fortë për mbledhjen e mbeturinave në lumenj dhe liqeneve kanë kushtuar 4 mijë euro.

Shpenzimet për çizme e doreza

Maskat e thjeshta kanë kushtuar 9 mijë euro, çizme peshkatarësh 5 mijë e 200 euro, çizmet e thjeshta 7 mijë e 800 euro, lopatat 2 mijë e 750 euro, rrobat e punës për punëtorët sezonal 30 mijë euro, krehër për mbeturina u kanë kushtuar 1 mijë euro, tabelat me mesazhe për ruajtjen e mjedisit 20 mijë euro.

Në raportin financiar të “Ta pastrojmë Kosovën” thuhet se furnizim i standeve promovuese me llogo kanë kushtuar 1 mijë e 160 euro, kontejnerët për grumbullimin e mbeturinave 124 mijë euro ndërsa shportat për mbeturina 31 mijë e 500 euro.

Billbordat bë tërë Kosovën i ka kushtuar fushatës 14 mijë euro.

Furnizimi me ushqim dhe pije për vullnetarët nëpër aksione në terren i ka kushtuar fushatës 105 mijë e 38 euro.

Angazhimi i makinerisë për bartien e materialeve interne i ka kushtuar fushatës 21 mijë euro.

Pagesat për vullnetarë call center kanë kushtuar 3 mijë e 450 euro ndërsa për 13 vullnetarët për dy muaj ka kushtuar 8 mijë e 190 euro dhe pagesat për vullnetarët (koordinatorët) nëpër komuna ka kushtua 2 mijë e 760 euro.

Gjithashtu në raport tregohet edhe se 28 mijë e 500 euro janë shpenzuar për organizimin e aktiviteteve me nxënës dhe komunitete, tryeza, ligjërata dhe aktivitete vetëdijësuese.

Organizimi i tri konferencave të kësaj fushate kanë kushtuar 6 mijë euro ndërsa vetëm organizimi i konferencës përmbyllëse ka kushtuar 6 mijë euro.

Furnizimi me derivate për aksion ka kushtuar 35 mijë e 100 euro.

Gjithsej para të shpenzuara për këtë fushatë sipas raportit financiar janë 815 mijë e 27 euro e 67 cent.

 

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com raportoi për dyshimet dhe parregullsitë në ndarjen dhe shpenzimin e mbi 800 mijë eurove në fushatën “Let’s do It Kosova”.

Në janar të këtij viti kishte përfunduar aksioni ‘Ta pastrojmë Kosovën’, dhe ishte cilësuar si njëra nga fushatat më të suksesshme si nga krerët shtetëror ashtu edhe nga organizatorët.

Mirëpo Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në analizimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Kryeministrit kanë se thënë nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse fondet në vlerë prej 815,035€ të cilat qeveria e Kosovës i ka ndarë për themelimin e Task Forcës për pastrimin ne ambientit në Kosovë janë shpenzuar në mënyrë të rregullte dhe në përputhje me ligjin.

“Vlera e projektit ishte 815,035€. Në projekt përfshihet pastrimi i të gjitha komunave, eliminimi i afër 1000 deponive ilegale dhe pastrimi i mbeturinave në hapësirat publike. Për qëllime të këtij projekti, deri në fund të vitit 2018 janë kryer gjithsej pagesa në vlerë prej 806,838€. Lidhur me këto pagesa, nuk ekzistojnë dëshmi të përshtatshme dhe të mjaftueshme nëse ato janë shpenzuar në pajtim me procedurat dhe kërkesat ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

https://kallxo.com/dyshime-dhe-parregullsi-ne-ndarjen-dhe-shpenzimin-e-mbi-800-mije-eurove-ne-fushaten-lets-do-it-kosova/

‘Pluhuri’ që la pas fushata ‘Ta Pastrojmë Kosovën’