OJQ-të në mbrojtje të kafshëve dhe shpezëve në Parkun e Gërmisë

Organizatat Joqeveritare, Kosova Women’s Network, Let’s Do It Kosova,  Cel Kosovo, Shoqata e Intelektualëve të Pavarur Deçan, CRPK (Programi për të Drejtat Civile në Kosovë), Organizata Kulturore “Varg e Vi”, Balkan Sunfloëers Kosova dhe EcoZ kanë dalë me një deklaratë të përbashkët kundër mbajtjes së festivalit Sunny Hill në Parkun e Gërmisë.

OJQ-të kanë kërkuar nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të respektojë ligjërisht dhe të ndalojë mbajtjen e organizimeve të tilla në zona të mbrojtura, duke parandaluar kështu dëmtimin e florës dhe faunës së asaj zone.

OJQ-të po ashtu kanë kërkuar që MMPH të kërkojë nga organizatorët që të zvogëlojnë ndotjen nga zhurma dhe të kthejnë hapësirën e mbajtjes së festivalit, pas matjes së tij, në gjendjen e mëparshme.

Në kërkesën e tyre është cekur shkelja e shumë dispozitave ligjore të cilat janë nxjerrë nga Ministria e Mjedisit për mbrojtje të zonave natyrore.

“Sipas publikimeve zyrtare të AMMK-ës, Parku i Gërmisë konsiderohet si zonë e mbrojtur [1] dhe kemi të gjithë ne përgjegjësi që ta mbrojmë denjësisht atë, sepse është në shërbimin tonë dhe mirëqenies tonë si qytetarë. Kafshët e egra dhe shpezët janë të mbrojtura me ligjet që vet MMPH-ja ka ratifikuar dhe aprovuar dhe janë pasuria më e madhe që mund ta ketë një vend. Nga llojllojshmëria e biodiversitetit, mund të vërehet edhe shëndeti i njerëzve dhe i një vendi në përgjithësi”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.

Po ashtu, ata kanë kundërshtuar edhe mbajtjen e festivalit në Bërnicë, për shkak se edhe në atë zonë preken zona natyrore të cilat do të pësojnë njëjtë si Gërmia.

Ndryshe, nga viti i ardhshëm, festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bernicë-Prishtinë.

Për këtë janë dakorduar, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe përfaqësuesi i ‘Sunny Hill”, Dukagjin Lipa.

Këtë vit mbahet edicioni i dytë i festivalit “Sunny Hill Festival” dhe do të mbahet për tri ditë rresht, nga 2 deri më 4 gusht në Parkun e Gërmisë në kryeqytet.