Stema e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: Janë Larguar Dy Persona

Dega e LDK-së në Pejë ka reaguar pas lajmit se 100 anëtarë të saj i janë bashkuar degës së PDK-së. Sipas këtij subjekti, informacioni është një trillim për të manipuluar me qytetarët e Pejës.

 
“Për hir të korrektësisë në raport me elektoratin e LDK-së dhe publikun e gjerë ju njoftojmë se lajmi për largimin e 100 personave nga LDK në Pejë, nuk është aspak i vërtet, është një trillim dhe tentim që të manipulohet me qytetarët e Pejës”, thuhet në një reagim të degës së LDK-së.

LDK thekson në këtë reagim se janë larguar dy persona “për arsye krejt personale” dhe këtë veprim të tyrin dikush po mundohet ta shesë si një arritje për subjektin ku kanë aderuar.

Dega e partisë që ka pushtetin në Pejë thotë se është e çuditshme mënyra se si këta dy persona janë larguar pa asnjë paralajmërim dhe se nuk janë ankuar asnjëherë te organet e partisë për asnjë problem.

“Ne kemi dyshimet tona se këta persona kanë kaluar në PDK duke qenë të joshur me ndonjë përfitim personal por asesi sepse në LDK nuk janë trajtuar mirë apo që nuk kanë pasur hapësirë për të vepruar.”, thuhet në reagim.

“LDK në Pejë mbetet stabile në të gjitha nëndegët përfshirë edhe këto dy nëndegë sepse strukturat e kryesisë janë të motivuara më shumë se asnjëherë për të punuar në dobi të LDK-së dhe qytetit në përgjithësi”, thuhet në reagim, ku vlerësohet se puna e suksesshme e kryetarit Gazmend Muhaxheri dhe ekipit të tij qeverisës është duke sjellë rezultate të prekshme për qytetarët e Pejës në të gjitha fushat.

Ky reagim vjen pas aderimit të dy kryetarëve të nëndegëve të LDK-së në PDK bashkë me shumë të rinj tjerë.

http://kallxo.com/pdk-ia-merr-ldk-se-dy-nendege-ne-peje/