LDK: I kemi 58 vota për rrëzimin e Qeverisë, synojmë deputetët e pozitës

Lidhja Demokratike e Kosovës tha sot se i kanë 58 vota të deputetëve për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Kjo është bërë e ditur përmes një konferencë për media nga deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani, e cila tha se nuk do t’i kërkojnë votat e Listës Serbe për mocion mosbesimi.

“Ne i kemi mbledhur 58 nënshkrime deri tani dhe do t’i ri konfirmojë edhe gjatë ditëve në vijim por këto janë vetëm vota të opozitës. Ne nuk do ti kërkojmë votat e Listës Serbe, mirëpo ta keni të qartë kur hyjmë në kuvend dhe vendoset mocioni në votim ne nuk mund ta kontrollojmë votën e deputetëve individual, pra nuk i përzhemi vullnetit të asnjë deputeti pavarësisht etnisë”, tha ajo.

Ajo megjithatë theksoi se janë në fazën e grumbullimit të nënshkrimeve dhe se synim i kanë deputetët e pozitës që kritikojnë punën e Qeverisë.

“Tani jemi në një fazë të hershme për të folur për votën sepse jemi akoma në fazën e mbledhjes së nënshkrimeve, target kemi deputetët e pushtetit të cilët janë duke shprehur mospajtime si po qeveriset. Nëse i kanë seriozisht këto vërejtje,3 apo 4 prej tyre nuk do të hezitojnë që të japin nënshkrime që ti kemi 61”, tha Osmani.

Ndërsa, deputeti tjetër i kësaj partie, Armend Zemaj ftoi të gjithë deputetët që ta mbështesin në këtë mocion.

“Na duhen 61 vota që t’i japim fund kësaj qeverisje dhe deputetët i ftojmë që kurdo në afatin sa më të shkurtër të jetë mocioni para parlamentit e kërkojmë përkrahjen e të gjithë deputetëve të Kosovës që kësaj qeverie t’i japim fund”, tha Zemaj.

Rreth rrëzimit të Qeverisë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka zhvilluar dje një takim me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmetim, ku janë dakorduar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

 

https://kallxo.com/ldk-pas-takimit-mustafa-ahmeti-ka-pajtim-se-vendit-i-duhen-zgjedhjet-e-parakohshme/

.