Kryeministri Isa Mustafa në takim me udhëheqjen e Degës së LDK-së në Drenas - Foto: LDK

LDK Cakton Kandidatin për Kryetar të Drenasit

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në një takim të mbajtur sot ka miratuar kërkesën e Degës në Drenas, që LDK-ja të garojë e vetme në këto zgjedhje komunale që mbahen më 4 dhjetor dhe kandidat i saj për zgjedhjet për kryetar të kësaj Komune të jetë Bedri Nika.

Në këtë takim të Kryesisë së LDK-së janë diskutuar edhe çështje të ndryshme që lidhen me aktualitetin politik dhe zhvillimet progresive partiake.

Gjatë takimit u diskutua për reformën zgjedhore që lidhet me zgjedhjet në nivel lokal dhe qendror në Kosovë, proces ky i iniciuar së fundi.

Sipas një komunikate të Zyrës për Informim të LDK-së, gjatë mbledhjes është diskutuar edhe për zgjedhjet në kuadër të Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor.

Më 1 nëntor, në një takim me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka diskutuar çështjen e caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit, pasi që Nexhat Demaku dha dorëheqje pas konfirmimit të dënimit të tij nga Gjykata e Apelit.

http://kallxo.com/presidenti-konsultohet-kqz-ne-per-zgjedhjet-ne-drenas/

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar të Komunës së Drenasit duhet të mbahen jo më herët se tridhjetë ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë ditë pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm të Drenasit.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, ka dhënë dorëheqje më 25 tetor pas konfirmimit nga Gjykata e Apelit të dënimit të tij për krime lufte në procesin gjyqësor të njohur si “Drenica 2”.

http://kallxo.com/jep-doreheqje-kryetari-drenasit-reagon-pdk/