Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: Bisedimet e Thaçit me Serbinë Janë Antikushtetuese

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj bisedimeve siç i quan ajo “të paautorizuara” të presidentit Hashim Thaçi me Serbinë.

“Kryetari i Kosovës, z. Hashim Thaçi pa lejen e organeve ligjvënëse dhe kokë në vete ka filluar bisedime të pa autorizuar me Serbinë”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Sipas kësaj komunikate, ideja e presidentit Thaçi për krijimin e “Grupit të Unitetit” për bisedimet me Serbinë nuk është për të funksionalizuar këto bisedime por për të vendosur veten në qendër të tyre dhe për t’u prezantuar para miqve ndërkombëtarë si i vetmi faktor uniteti në vend.

“Tashmë lojërave të tij u ka dalur ngjyra. Uniteti nuk ndërtohet duke zhvendosur fuqinë politike te institucionet pa tagër vendimarrës e ekzekutues”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj partie, ky veprim i presidentit të vendit është në funksion të qëllimeve të tij meskine dhe për të kthyer reflektorët politikë kah vetja, “në kohën kur partia e tij po vazhdon të mbajë peng formimin e institucioneve edhe pse është në kuotat më të ulëta historike të fuqisë së saj politike”.

“Është Qeveria e Republikës së Kosovës, e mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ajo e cila ndërton platformën, udhëheqë bisedimet eventuale dhe implementon marrëveshjet. Çdo gjë tjetër dhe nga çdo kush tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të dëmshme, jo legjitime dhe antikushtetuese”, thekson Zyra për Informim e LDK-së.

Reagimi i LDK-së vjen pas takimit të sotëm të presidentit Thaçi, në Bruksel, me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.