Kush i Frikësohej Naser Kelmendit në Sarajevë?

 Boshnjaku Aldin Ajdareviq dëshmuar për vrasjen e shokut të tij Ramiz Delaliq.

Ajdareviq është përballur dje me të akuzuarin përvrasjen e Delaliqit, biznesmenin boshnjako- kosovar Naser Kelmendi, procesi gjyqësor ndaj të cilit po zhvillohet në Prishtinë.

Ai tha se merrej me menaxhimin e dyqaneve te Delaliqit dhe shumicën e kohës e kalonin së bashku ndërsa u shpreh se armiq kryesor të itDelaliq ishin Muhamet Ali Gashi dhe Naser Kelmendi.

“Unë e di qe Ramizi e kishte sulmuar njërin prej vëllezërve Gashi dhe ai e ka akuzuar Naser Kelmendin për dërgimin e kurdëve në Turqi për ta vrarë atë”, tha Ajdareviq.

Dëshmitari po ashtu tha se Ramiz Delaliq nuk i frikësohej Muhamed Ali Gashit por Naser Kelmendit.

Delaliqi asnjëherë nuk është frikësuar nga Muhamet Ali Gashi  aq shumë sa  është frikësuar nga Naser Kelmendi”, tha Ajdareviq

Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit se pse frikësohej Delaliqi nga Kelmendi më shumë se nga Gashi, tha se ndoshta sepse Kelmendi ishte më i fuqishëm se Gashi.

Kur dëshmitari u pyet nga prokurori Andrew Hughes se a kishte pasur Delaliqi ndonjë konflikt me Kelmendin, ai u përgjigj negativisht.

Naser Kelmendi dhe Ramiz Delaliq nuk kishin asnjë konflikt”, u përgjigj dëshmitari.

Megjithatë dëshmitari tha se Delaliqi nuk kishte armik tjetër përpos Naser Kelmendit dhe Muhamed Ali Gashit.

Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i Kelmendit tha ky dëshmitar nuk ishte i besueshëm.

“Ky dëshmitar është propozuar për të mbështetur teoritë e të ashtu-quajturës, Sheila Turkovic, e cila kam përshtypjen nga dëshmia e këtij dëshmitari rezulton se është bashkëpunëtore e këtij dëshmitari, për të përkrahur deklaratën e saj por me gjasë gjatë marrjes në pyetje nga ana e mbrojtjes edhe ato dyshime të cilat i hodhi ai sot do të thyhen dhe do të kristalizohet gjithçka që Delaliq dhe Naser Kelmendi  nuk kishin asnjë motiv konflikti mes veti e aq më pak sa të përfundonte me vrasjen e tij”, tha avokati Besnik Berisha për KALLXO.com

Ramiz Delaliq qe vrarë në qendër të Sarajevës në vitin 2007 ndërsa Naser Kelmendi akuzohet mes tjerash pikërisht për vrasjen e Delaliqit.

Akuzat tjera ndaj Kelmendit janë edhe ato për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga Policia e Kosovës në majin e vitit 2013, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë, Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar 2015, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.

Pas Aldin Ajdareviqit pritet të dëshmojë edhe Emir Polak, gjithashtu shtetas i Bosnjës. Polak është zyrtar në një medrese të këtij shteti.

Edhe gjatë rrjedhës së mëhershme të gjykimit ka pasur dëshmi tjera nga Bosnja.

Seanca e radhës do të mbahet nesër.

Por ende nuk dihet nëse biznesmeni kontrovers Fahrudin Radonçiq, i arrestuar këtë javë në Sarajevë, do të sillet për të dëshmuar në këtë proces, pasi që edhe ai është në listën e dëshmitarëve.