Foto: KALLXO.com

Kush e Mbikëqyri Projektin në të Cilin u Investua Dy Herë

Kompania që kishte ekzekutuar projektin për instalimin e ujësjellësit në pesë fshatra të Rahovecit, “Annex” Sh.P.K., nuk ka qenë në dijeni për plasaritjet në gypat që ka instaluar dhe për të cilët janë paguar nga Komuna 412 mijë euro.

Sipas kësaj kompanie, ata nuk janë njoftuar asnjëherë nga Komuna e Rahovecit lidhur me plasaritjet dhe për faktin se gypat në gjatësi tre kilometra kanë dalë prej përdorimit dhe është investuar për së dyti.

“Ne nuk jemi në dijeni për plasaritjen e gypave dhe nuk jemi informuar nga autoriteti kontraktues KK Rahovec për plasaritje të tilla. Nuk kemi pasur vërejtje nga organi mbikëqyrës dhe të gjithë projektin e kemi realizuar në mbikëqyrje dhe konsulta me organin mbikëqyrës. Ne nuk kemi informata në lidhje me plasaritje dhe ndërrim të gypave në rrjetin e ujësjellësit. Punëdhënësi KK Rahovec nuk na ka informuar për këtë gjë. Nuk mund te themi asgjë pa pasur informata nga KK Rahovec”, është përgjigjja që emisioni “Drejtësia në Kosovë“ ka marrë nga kjo kompani.

“Gypat kanë qenë të instaluar sipas projektit. Pagesa na është bërë afro 412.000 euro. Siç e cekëm edhe më lart, ne nuk e kemi pasur këtë informacion (për plasaritjen e gypit). Këtë e dëgjuam nga ana juaj”, thuhet po ashtu në përgjigjen e kompanisë “Annex”.

Sali Fazliu, përfaqësues i kompanisë “3L ING”, e cila e kishte e hartuar projektin, thotë se kompania e tyre nuk ishte ftuar asnjëherë nga kompania ekzekutuese “Annex”, apo Komuna e Rahovecit për të mbikëqyrur ekzekutimin e projektit në terren.

Ai nuk ka shpjegim se si figuron emri i kompanisë së tyre në dokumente zyrtare që gjenden në dosje të projektit se kompania e tyre ka qenë përgjegjëse të mbikëqyrë punimet edhe për fazën e dytë.

“Ne nuk kemi mbikëqyrur asnjë ditë të vetme projektin në fazën e dytë. Në fazën e parë nga fabrika deri tek fshati Dobidol pra fazën e parë kemi mbikëqyrë dhe japim përgjegjësi tërë jetën. Në pjesën  e dytë ne nuk jemi ftuar të bëjmë mbikëqyrjen. Se si është futur emri kompanisë sonë këtu ne nuk e dimë”, ka thënë Fazliu.

Emisionin e plotë “Drejtësia në Kosovë“ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: