Kurs Intensiv për Mjekët që Luftojnë me Vdekjen

Kursi dyditësh ku ligjëruan drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës në Shqipëri Skender Brataj dhe drejtori i Klinikës Emergjente në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Basri Lenjani u mbajt në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë

Dy ligjëruesit mjekëve dhe infermierëve pejanë u folën për dhënien e ndihmës së parë pacientëve, duke e konsideruar atë ndihmë mbështetje themelore të jetës.

Mjeku Skender Brataj tha për KALLXO.com se dhënia e ndihmës emergjente është hapi i parë drejt shpëtimit të jetës se një pacienti.

“Qëllimi është sensibilizimi i mjekëve dhe infermierëve të sektorit të shëndetësisë që ndihma e parë, dhënia  e ndihmës së parë, urgjenca mjekësore është hapi i parë i shpëtimit të jetës së një pacienti. Ne jemi mjekësia e urgjencës që shkojmë trokasim në derën e qytetarit të parët, jemi të parët që jemi në kontakt, jemi të fundit që mund të japim një shans mbijetese,“ tha Brataj.

Ndërsa, ligjëruesi tjetër Basri Lenjani tregoi se ligjërata të tilla do të mbahen edhe nëpër komunat tjera të Kosovës.

“Nuk do të ndalemi vetëm në Pejë, ne do të vazhdojmë në tërë territorin e Kosovës, po edhe në të gjitha trevat kosovare,” tha Lenjani.

Koordinatori i Qendrës Trajnuese të Mjekësisë Familjare në Pejë Islam Husaj tha se këto kurse ndikojnë në avancimin profesional të punëtorëve shëndetësorë.

“Këto janë kurse të cilat janë shumë të rëndësishme për ne dhe i jemi shumë falënderues profesorit të nderuar i cili në mënyrë vullnetare pa asnjë kompensim vie nga Tirana dhe na mban kure të tilla,” theksoi Husaj

Ky kurs intensiv u organizua nën përkujdesjen e Kryetarit të Pejës dhe Drejtorisë së Shëndetësisë. Në fund u ndanë edhe certifikata për pjesëmarrësit e këtij kursi.