Armend Zemaj - Foto: KALLXO.com

Ministri Zemaj viziton të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar në QKUK pacientët e lënduar nga shpërthimi në Ferizaj.

Sipas Zemajt, e mira e kësaj fatkeqësie është se të gjithë janë në jetë dhe se po marrin trajtimin e duhur për shkak të djegieve që kanë pësuar.

Ministri Zemaj tha se koordinimi i mirë mes Spitalit të Ferizajt dhe Emergjencës së QKUK-së tregon për përkushtimin e personelit shëndetësor dhe shpëton jetë.

Ai ka falenderuar profesionistët shëndetësorë për mobilizimin për t’u dalë në ndihmë të lënduarve.

Ndërsa, drejtori i Klinikës Emergjente të QKUK-së, Basri Lenjani, tha se në këtë Klinikë janë pranuar 15 të lënduar. 3 prej tyre janë në trajtim intensiv, një 20-vjeçare e cila ka djegie në fytyrë, kokë dhe qafë dhe për shkak të thyrjes së qafës së femurit është dërguar në Ortopedi.

44 persona janë lënduar sot pasdite nga shpërthimi i një bombole gazi në një restorant në Ferizaj.

Sipas Policisë, të lënduarit janë klientë dhe punëtorë të restorantit.