Basri Lenjani - Foto: Facebook/ Basri Lenjani

U dënua me burgim me kusht dhe gjobë, reagon ish-drejtori i Klinikës Emergjente

Ish-drejtori i klinikës Emergjente në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës është dënuar me 500 euro gjobë dhe 6 muaj dënim me kusht për mosdeklarim të pasurisë.

Këtë dënim Lenjani e ka quajtur të nxitur nga “politikat ditore dhe inatet”.

“Realiteti i një gjykimi të ndikuar nga politikat ditore dhe inatet… Ndikimet e ndryshme, inatet politike nuk do të ndikojnë që unë të dorëzohem. Kjo është Kosova, kur vritet, burgoset dinjiteti im shpirtëror, ndershmëria dhe puna ime 36 vjeçare”, ka shkruar Lenjani në Facebook.

Lenjani ka renditur edhe disa arsye për të cilat ai beson se do të duhej të gjykohej.

“Unë duhet të gjykohem për këto arsye: Pse e kam lëshuar shtëpinë shkollë? Pedagog në rrethanat e jashtëzakonshme? Për edukimin e arsimimin e shumë  gjeneratave? Për 21 libra të botuara dhe shumë publikime të tjera? Për avansimin e SHME dhe shumë projekteve? Për humanitet ndershmëri dhe pastërti profesionale 36 vjeçare?”, ka shkruar ai.

KALLXO.com ka telefonuar Lenjanin në lidhje me dënimin dhe i njëjti ka deklaruar se nuk është dëshiron të flas për media dhe se e ka thënë fjalën e tij.

Gjykata e Prishtinës dje ka shpallur akgjykimin për Basri Lenjanin për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

“I akuzuari B.L është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej një viti, nuk kryen vepër tjetër penale si dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro, të cilin dënim i akuzuari duhet ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së formës së prerë të këtij aktgjykimi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës për KALLXO.com.

Sipas informacioneve, Lenjani është dënuar se nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij, me emrin “OS Oral Dent”.

Po ashtu, Lenjani po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5 mijë e 125 euro e 55 centë, ku 2 mijë e 763 euro e 13 centë i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2 mijë e 441 euro e 10 centë i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asociuar.