Tërhiqen nga gara dy kandidatë për drejtor të SHSKUK-së, në ditën e testit

Në ditën e testit, dy kandidatë nga pesë gjithsej sa kishin hyrë në listë të ngushtë për drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik, Universitar të Kosovës, janë tërhequr nga gara.

Basri Lenjani dhe Sanije Gashi, nuk u paraqitën fare për testim me shkrim, i cili u mbajt sot.

KALLXO.com ka tentuar që të kontaktojë me të dy për të kuptuar arsyet e tërheqjes së tyre, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.

Testit me shkrim, sot iu nënshtruan tre kandidatët e tjerë, Elvir Azizi, Haqif Arifi dhe Zef Ndrejaj.

16 qershori është caktuar data kur do të mbahet intervista me gojë.

Testi me shkrim dhe intervista me gojë, kanë secila nga 50 pikë.

SHSKUK pritet të bëhet me drejtor pas 10 muajsh udhëheqje nga ushtrues detyre.

Më 2 gusht 2022, ish-drejtori i këtij institucioni, Valbon Krasniqi kishte dhënë dorëheqje. Në atë kohë, u.d. e Drejtorit të Përgjithshëm ishte emëruar Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Pasi që edhe Zejnullahu-Raçi dha dorëheqje më 26 janar, Narqize Arenliu – Hoxhaj u emërua në atë pozitë dhe vazhdon të jetë aty.