‘Kur hana del’ më 1 tetor shfaqet në Teatrin e Ferizajt

Premiera e shfaqjes “Kur hana del” me tekst të Ag Apollonit dhe regji të Ben Apollonit shfaqet më 1 tetor në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” të Ferizajt.

Shfaqja do të ketë edhe dy repriza më 2 dhe 3 tetor 2018.

“Kur hana del” është një tragjikomedi që trajton fatin e njerëzve me sëmundje mentale si pasojë e tmerreve të përjetuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ngjarja e kësaj shfaqje vendoset në një qendër psikiatriken në Kosovë dhe zhvillohet në dy linja, që sipas regjisorit Apolloni, njëra shpalos tragjedi të ndryshme, kurse tjetra tregon një histori dashurie mes dy të sëmurëve mentalë.

“Kështu, drama paraqet fatet tragjike dhe veprimet komike të personazheve, derisa në fund mbyllet me një akt tragjik”, ka thënë regjisori Apolloni

Ne shfaqje luajnë: Ali Krasniqi, Edona Berisha-Bekteshi, Vjosa Abazi, Dashuri Rexhepi, Jajush Ramadani, Arben Marevci, Sherif Bega, Mevlan Saraqi, Gresa Gashi, Ekrem Jakupi.