Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com
Sot mbahet mbledhja e Komitetit të Ministrave të KiE-së, Kosova mbeti jashtë agjendës
Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës (KiE) do të mbajnë mbledhje sot më 17.05.2024.
Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e kësaj mbledhjeje.
Ky takim i ministrave do të mbahet në Strasburg dhe pritej se në të do të vulosej që Kosova të bëhej anëtarja e 47-të e KiE-së.
Sipas njoftimit, në këtë mbledhje ministrat do të shqyrtojnë punën e organizatës në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën dixhitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.
“Ata do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian”- thuhet në njoftim.
Kosovës nga disa shtete i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, më 16.05.2024, i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.
Sipas saj, ky draft do të shërbej për t’i integruar komunitetet joshumicë në të gjitha komunat e vendit.“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin” – deklaroi ministrja e Jashtme.
Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës që do të mbahet më 17.05.2024.
Themelimi i Asociacionit do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, ka deklaruar raportuesja Dora Bakoyannis gjatë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës më 16.04.2024, dhe se sipas saj, “duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, si një angazhim pas anëtarësimit”.
Kështu shkruan edhe në nenin 11 të opinionit të saj.
Ndërsa, Qeveria më pas ka pranuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës.
Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.
Vetë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në mars 2024 i dërguan një letër raportueses Bakoyannis, duke u zotuar se do të respektojnë të gjitha dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asoaciacionit.
Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar.
Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Ndërkaq, çështja e Asociacionit që një kohë të gjatë po qëndron pa asnjë zgjidhje. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Letra e dërguar në Këshillin e Europës, hap i duhur apo gabim strategjik i Qeverisë