Kryetari i Odës së Avokatëve Osman Havolli

Kryetari i Odës së Avokatëve i Brengosur për Deportimin e Shtetasve Turq

Oda e Avokatëve të Kosovës ka organizuar një konferencë për media.

Në këtë konferencë për media, gazetarëve iu drejtuan kryetari i OAK-ut  Osman Havolli dhe kryetari i Unionit të Odave të Avokatëve të Turqisë, Metin Feyzioglu.

Ngjarjen e fundit të deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, nuk e komentoi kryetari i Unionit të Odave të Avokatëve të Turqisë, por tha se ndonëse nuk e njeh sistemin e Kosovës beson se sipas ligjit do të bëhet ajo që duhet.

“Nuk më takon mua ta vlerësoj mënyrën e deportimit të qytetarëve dje, nuk e njoh sistemin tuaj. Jam i sigurt që sipas ligjit do të bëhet ajo çfarë duhet të bëhet”, tha Feyzioglu.

Kurse Kryetari i OAK-ut, Osman Havolli ngjarjen e fundit të deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova e konsideroi shumë brengosëse.

Havolli kritika dha edhe ndaj krerëve të shtetit në lidhje me deklaratat e tyre të dhëna pas lajmit për deportimin e shtetasve turq, deklarata për të cilat tha se kanë qenë kontradiktore në mes vete.

“Aq më brengosës dhe shqetësues është deklarimi nga krerët e shtetit që kanë dhënë fillimisht deklarata kontradiktore të cilat nuk janë përputhur me artikulimin e tyre”, tha Havolli.

Ai madje e interpretoi një pjesë nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, sipas së cilës tha se edhe me Kushtetutë të Kosovës garantohet e drejta për një proces të drejtë, të rregullt dhe të paanshëm.

“Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, neni 6, të drejtën për një proces të drejtë të rregullt dhe të paanshëm e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Mbi këtë bazë çështja e arrestimit dhe mosrespektimi i kalimit nëpër proceset e rregullta gjyqësore dhe deportimi i tyre i përnjëhershëm është brengë e madhe për Odën e Avokatëve të Kosovës”, deklaroi Havolli.

Ai tha se si Odë e Avokatëve nuk e gjykojnë se si është dashur që të veprohet , por konstatoi se është dashur që të respektohen parimet dhe standardet ndërkombëtare, kushtetuta, ligji, e drejta për mbrojtje efektive juridike dhe e drejta për një proces të drejtë dhe të paanshëm.

“Ne si avokati nuk gjykojmë se si është dashur të veprohet janë çështje të shteteve, marrëveshjet  ndërkombëtare Turqi-Kosovë, mirëpo parimet dhe standardet ndërkombëtare duhet të respektohen. Duhet të respektohet kushtetuta, ligji, e drejta për mbrojtje efektive juridike dhe e drejta për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Për këtë shpreh brengë dhe shqetësimin tim”, tha Havolli.

Në fund të takimit të dy kryetarët shkëmbyen dhurata në mes njëri tjetrit.