Policia/Ilustrim

Kryetari i degës së avokatëve në Prishtinë denoncon në Polici kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës

Nasuf Hasani, kryetari i avokatëve dega në Prishtinë ka denoncuar gjatë ditës se sotme në Polici kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupin.

Kjo pas një incidenti që ka ndodhur gjate ditës së sotme në mbledhjen e këshillit të avokatëve.

Kryetari i degës Nasuf Hasani në një prononcim për KALLXO.com tha se është në hapësirat e stacionit policor duke u marrë në pyetje në lidhje me incidentin.

“Më është penguar liria e shprehjes gjatë mbledhjes dhe e gjithë kjo me urdhërat e Behar Ejupit. Deri sa tentoja të flisja zyrtari për komunikim i Odës më është afruar dhe ka tentuar që ta largojë diktafonin i cili më pas është përplasur dhe thyer. Më është mohuar pra e drejta e fjalës mua edhe në pozicionin e kryetarit të degës së avokatëve por edhe si anëtar i këshillit drejtues të avokatëve”, tha Hasani deri sa tregoi se për rastin menjëherë janë njoftuar organet e rendit.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një sqarim edhe nga kryetari i OAK, Behar Ejupi, por i njëjti nuk ka pasur qasje në telefon dhe nuk i është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve.

Në lidhje me pretendimet e Nasuf Hasanit, KALLXO.com ka kontaktuar me nënkryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Naim Rudarin.

“Unë vlerësoj që nuk ka pasur rast për Polici, Kryetari i degës së Prishtinës i ka ftu Policinë për shkak se kryetari ka kërku nga ai që të mos dalë jashtë rendit të ditës. Nuk ka ndodhur asgjë mes Hasanit dhe Ejupit veç që e ka marrë fjalën (Nasuf Hasani) ka dalë nga rendi i ditës edhe i ka kërku (Behar Ejupi) që të mos dalë nga rendi i ditës”, tha Rudari.

Rudari sqaroi edhe incidentin mes Hasanit dhe zyrtarit për komunikim të OAK-së.

“Mes të dyve nuk ka pasur asnjë incident, është një zyrtar për informim në Odë që e përcjell dhe u ofron diktafonin pasi incizohen mbledhjet, u ofron diktafonin secilit person që e merr fjalën edhe kur kryetari (Behar Ejupi) ka kërkuar që ai (Nasuf Hasani) të mos dalë nga rendi i ditës, aty zyrtari për komunikim e ka kërku diktafonin dhe aty janë kapë. Diktafoni u hodh përtokë, u dëmtu paksa por nuk ka pasur asnjë incident tjetër përveç kësaj”, shtoi tutje Rudari.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e këshillit drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës. Këtë mbledhje Rudari e cilësoi të zakonshme në të cilën janë diskutuar disa tema të ndryshme.