FOTO: KALLXO.COM

Gjykata rrëzoi rregulloren e Odës së Avokatëve për caktimin e mbrojtësve sipas detyrës zyrtare

Gjykata në Prishtinë, Departamenti i çështjeve administrative ka marrë aktgjykim me të cilin e ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e Albana Kelmendit dhe Naim Rudarit e paraqitur kundër Odës së Avokatëve.

Me anë të kësaj padie kërkohej anulimi i rregullores i nxjerrë nga Oda e Avokatëve në vitin 2016.

Rregullorja parashihte caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokatja Albana Kelmendi e cila ka deklaruar se rregullorja ka qenë diskriminuese prandaj ajo kërkoi nga Oda e Avokatëve që në të ardhmen t’i shqyrtoj më me kujdes rregulloret e të mos përsëriten gabimet e njëjta.

“Gjykata ka konstatuar që rregullorja është e kundërligjshme dhe diskriminuese sipas dispozitave nga ligji për mbrojtjen nga diskriminimi. Për interesin e drejtësisë dhe sigurisë juridike të avokateve, OAK, të shqyrtoj më me kujdes të shtuar se kush e ka draftuar këtë Rregullore të kundërligjshme ashtu që gabimin e njëjtë të mos përsëritë”- tha Kelmendi.

Sipas paditëses, Këshilli gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial dhe Oda e Avokatëve kishin lidhur marrëveshje bashkëpunimi ku sipas nenit 31 të kësaj marrëveshje këto institucione ishin dakorduar që emërtimi i avokatëve sipas detyrës zyrtare të koordinohet nëpërmjet zyrës Koordinuese të Odës për shërbime gjyqësore.

Sipas paditësve neni katër i kësaj rregullore ku përcaktonte se të gjithë avokatët të cilët kanë përvojë më shumë se tri vite si avokat, prokuror ose gjyqtar do të përfaqësojnë të pandehurit në çdo fazë të procedurës penale në departamentin për të mitur dhe departamentin e krimeve të rënda, është i kundërligjshëm, diskriminues dhe përjashtues.

Në padi të njëjtit konsiderojnë se neni 4 i rregullores së OAK është në kundërshtim me kodin e procedurës penale dhe në kundërshtim me ligjin për mbrojtje nga diskriminimi.

Sipas gjykatës kodi i procedurës penale në kapitullin pesë nuk ka përcaktuar kualifikimet dhe përvojë të ndryshme të përfaqësimit sa i përket përfaqësuesve apo mbrojtësve të angazhuar me shpenzime publike ose me shpenzime të palëve dhe sa i përket përfaqësimit në departamentin special.

Pra nga këto konstatime del se e paditura(OAK) me rregulloren në fjalë ka përcaktuar kritere shtesë për avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare të cilat nuk janë të përcaktuara më asnjë dispozitë ligjore.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankesë në Apel në afat prej 15 ditësh.