Arkiv - Gjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Tërhiqet Oda e Avokatëve, pas 9 muajve zhbllokohet rasti i vrasjes së Agonis Tetajt

Oda e Avokatëve të Kosovës ka shfuqizuar vendimin i cili parashihte moscaktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

Këtë vendim e ka kundërshtuar nënkryetari i OAK, Naim Rudari, i cili e ka quajtur dorëzim, shfuqizimin e këtij vendimi.

“Oda e Avokatëve të Kosovës DORËZOHET para presionit, kanosjeve e hetimeve të kundërligjshme e të padrejta nga akterët e “Drejtësisë” dhe shfuqizon një vendim të drejtë, të mbështetur në fakte të shumta e në një procedurë hetimore”, ka shkruar Rudari.

Ai ka thënë se vendimi për mos angazhimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin konkret ishte i nevojshëm.

“Vendimi për mos angazhimit të avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin konkret, ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta ndaluar fenomenin e përjashtimit të avokatit nga gjykimi që në historinë e funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë ishte NJË dhe i VETMI”, ka deklaruar Rudari.

Tutje, Rudari ka thënë se është shqetësuese dhe e pakuptimtë pasi sipas tij ata që e kanë nxjerrë vendimin për mos caktim të avokatit sipas detyrës zyrtare, sot po e shfuqizojnë të njëjtin.

“Pra është shqetësuese dhe e pakuptimtë kur ata të cilët e kanë nxjerrë vendimin për mos caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare me rastin e përjashtimit të avokatit padrejtësisht nga gjykimi, sot shfuqizojnë vendimin e vet atyre, prap se prap duke e cilësuar si të drejtë dhe të ligjshëm por për t’i bërë një nderë KGJK-së të cilët na kanosën në format më të pa pranueshme”, ka shtuar nënkryetari i OAK.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se sot ka zhvilluar një takim të përbashkët me Odën e Avokatëve.

Në njoftim thuhet se u diskutua çështja e përfaqësimeve, qasjes së avokatëve në gjykatë, përmirësimit të thirrjeve të palëve, pa përjashtuar thirrjet në formë elektronike, përfaqësimit të palëve me asistencë sociale dhe tarifat për ex-officio.

KGjK ka bërë të ditur se të dyja palët janë zotuar për zbatimin në mirëbesim të memorandumit.

“Të dy palët zotohen për zbatimin në mirëbesim të memorandumit, ashtu që ndër të tjera, Oda e Avokatëve të Kosovës, përmes organeve të saj drejtuese, shumë shpejtë do të trajtojë çështjen e zbatimit të Memorandumit të ngritur nga KGJK”, thuhet në njoftim.

“Të dy palët zotohen për zbatimin në mirëbesim të memorandumit, ashtu që ndër të tjera, Oda e Avokatëve të Kosovës, përmes organeve të saj drejtuese, shumë shpejtë do të trajtojë çështjen e zbatimit të Memorandumit të ngritur nga KGJK”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, Rudari ka thënë se vendimet e Këshillit Drejtues dhe të OAK-së janë lehtë të rrëzueshme e të ndryshueshme.

“Vendimet e KD të OAK-së rezulton se nuk kanë  më vlerë pasi që ato janë lehtë të rrëzueshme e të ndryshueshme”, ka thënë Rudari.

Kryetari i Degës Rajonale të OAK-së në Prishtinë, Nasuf Hasani, ka kërkuar dorëheqjen e Këshillit Drejtues, për shkak të vendimit të parë të cilin e ka cilësuar të kundërligjshëm.

“Kryetari, nënkryetari dhe të gjithë ata anëtarë të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës, të cilët kishin marrë vendime të kundërligjshme për të mos dërguar avokatë sipas detyrës zyrtare, sot u detyruan të tërhiqen prej atyre vendimeve të cilat i mbrojtën që nga data 12 korrik 2021. Këta individë e kanë cenuar rëndë imazhin e avokatisë, prandaj për të mirën e tyre dhe të avokatisë, të japin dorëheqje!” ka shkruar Hasani në rrjetin social “Facebook”.

Në qershor të vitit 2021, Gjykata e Pejës përmes një vendimi ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

Paraprakisht avokati Berisha u dënua me gjobë 500 euro sepse sipas gjykatës i njëjti i ka përsëritur pyetjet e njëjta përkundër që i është tërhequr vërejtja, e po ashtu faktin se vazhdimisht ka deklaruar se gjykata e ka paragjykuar këtë çështje.

Bllokimi i këtij procesi ka ndodhur pas përjashtimit dhe dënimit më gjobë të avokatit Besnik Berisha.

Në shkurt të këtij viti , gjykatësja Violeta Husaj- Rugova, kishte thënë se pasi që Oda e Avokatëve të Kosovës refuzon caktimin e një avokati për Shaban Gogaj, ajo tha se gjykata do ftojë të gjithë avokatët në Kosovë deri në plotësimin e kushteve ligjore.

Këtë deklarim gjykatësja e bëri në seancën, ku Shaban Gogaj po akuzohet për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Në anën tjetër gjykata kishte dënuar me 250 euro gjobë për të treten herë radhazi avokatin Gëzim Kollqaku, i cili është caktuar nga gjykata si mbrojtës i Gogajt.

Avokati u dënua nën arsyetimin se është duke zvarritur procesin gjyqësor.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Në mars të vitit 2021, disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, KALLXO.com kishte pranuar një foto ku pretendohej se shihej atëherë avokati i familjes Gogaj dhe në atë kohë prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Fotografia ku shihen avokati Besnik Berisha dhe prokurori Agron Uka është shkrepur më 2020

Ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte njoftuar se pas videos dhe reagimeve e dyshimeve për mostrajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetaj nga ana e prokurorit Agron Uka, kishte vendosur që ta përjashtojë prokurorin Agron Uka nga ndjekja penale e kësaj çështje dhe të njëjtën çështje të ia kalojë një prokurori tjetër.

Çështja më pas kaloi në Gjykatën e Pejës.