Kryetari i Rahovecit dënon deklaratën e hoxhës për Hilmi Haradinajn

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar ndaj deklaratës së hoxhës së fshatit Fortesë, Bedri Bytyçi, në lidhje me babain e vdekur të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Latifi i ka quajtur raciste, johumane e në shpërputhje me parimet bazë të islamit thirrjet që hoxha ua bëri kolegëve të tij që të mos marrin pjesë në varrimin e Hilmi Haradinajt.

Kryetari i Rahovecit ka kërkuar ndërhyrjen e organeve të rendit dhe ligjit, sepse, sipas tij, kemi të bëjmë me gjuhë të urrejtjes dhe të mosdurimit, të cilat përbëjnë shkelje të ligjeve të aplikueshme në Kosovë.

Sot gjatë ditës, hoxha Bedri Bytyçi ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se “Hoxhallarët s’kanë çka lypin te Gjoka!”, duke aluduar në mbiemrin që Ramush Haradinaj ka thënë në një televizion serb ta kenë pasur dikur familja e tij.

Pas reagimeve, hoxha e ka fshirë këtë koment nga profili i tij.

Për vdekjen e Hilmi Haradinajt njoftoi në orët e para të ditës së sotme i biri i tij, Ramushi.

https://kallxo.com/ka-vdekur-babai-i-kryeministrit-haradinaj/

Ndërsa, ky është postimi i plotë i kryetarit të Rahovecit lidhur me deklaratën e hoxhës së Fortesës:

“Jam thellësisht i indinjuar me thirrjet e ‘imamit’ Bedri Bytyçi, i cili në Fortesë kishte gjetur pritje dhe trajtim të mirë, në përputhje me traditat më të mira shqiptare. Thirrja e tij që të mos varroset babai i dëshmorëve dhe heronjve Hilmi Haradinaj është raciste, jo humane dhe në shpërputhje me parimet bazë të islamit. Thirrje si kjo fyejnë njerëzit me ndjenja fisnike dhe atdhetare.

Duke e ditur paraprakisht, se gjuha e urrejtjes dhe e mosdurimit përbëjnë shkelje edhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, do të duhej që organet e rendit dhe të ligjit të bëjnë punën e tyre. Kjo gjuhë e urrejtjes përbën kërcënim të drejtpërdrejt për jetën dhe shëndetin e familjes Haradinaj, gjë që e bën të domosdoshëm ndërhyrjen e shtetit.

Si kryetar dhe qytetar i komunës së Rahovecit jam thellësisht i prekur për faktin se një person i veshur me petkun fetar provokon kaq rëndë ndjenjat e qytetarëve tanë. Edhe Bashkësia Islame do të duhej të merrte masa ndaj imamëve që transmetojnë mesazhe të frikësimit, urrejtjes dhe përbuzjes ndaj një njeriu që i dha aq shumë lirisë së Kosovës.”