Kryetari i Preshevës: Mjaft eksperimentuat me Preshevën

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar në lidhje me debatet e fundit për ndryshim të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

Ai ka shkruar se deklaratat për shkëmbim të territoreve duhet të quhen ‘bashkim’ dhe jo ‘shkëmbim’.

“Në këto rrethana është naive, kontraproduktive dhe anashkalohen skajshmërish interesat kombëtare shqiptare të flitet për parcializimin e Luginës së Preshevës, qoftë edhe bashkimi me Republikën e Kosovës të një copëze të Luginës. Pra, Lugina e Preshevës respektivisht Komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është NJË, bashkë përherë e TË PANDASHËM! Kjo e fundit vlen edhe për Republikën e Kosovës. Sakrifica sublime e dëshmorëve të Kombit dhe brezat e reja nuk lejojnë ndarjen e Kosovës. Rrjedhimisht fjala e përshtatshme në këto suaza do të ishte Bashkim dhe jo Shkëmbim”, ka shkruar Arifi.

Kryetari i Preshevës ka thënë se së pari duhet të respektohen të drejtat e shqiptareve në Luginën e Preshevës, dhe mos të bëhen eksperimente.

“Si pikënisje objektive e zgjidhjes së problemeve do të ishte respektimi i të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Gjithashtu është detyrë e miqve ndërkombëtarë të flasin, reflektojnë, aktivizojnë resurset dhe të intervenojnë për të zbatuar drejtësinë dhe ligjshmërinë ndërkombëtare, konform akteve juridike, për avancimin e të drejtave shqiptare në këtë rajon. Më Luginën e Preshevës janë bërë dhe po bëhen eksperimente, Mjaft më”, ka shkruar kryetari i Preshevës në ‘Facebook’.