Foto: REL

Arifi: Mbi 120 mijë shqiptarë janë regjistruar në Luginën e Preshevës

Kryetari i Komunës së Preshevës. Shqiprim Arifi tha se nga rezultatet e para preliminare, del se në Luginën e Preshevës janë regjistruar mbi 120 mijë shqiptarë.

Serbia ka përfunduar regjistrimin e popullsisë së fundmi, ndërsa thirrje që shqiptarët që jetojnë në shtetin serb për të marrë pjesë në regjistrim, kanë bërë edhe politikanët nga Kosova.

“Po, janë publikuar dhe janë dhe rezultate natyrisht preliminare të cilat tani në Entin Statistikor këtu në Serbi duhet të vlerësohen. Ne kemi kaluar mbi 120 mijë qytetarë në Luginë të Preshevës, që pikë së pari është një mesazh i mirë” – tha Arifi në një prononcim për KALLXO.com.

Sipas kryetarit të Preshevës, një telashe gjatë regjistrimit të popullsisë u pa në komunën e Medvegjës.

“Por brenda kësaj shifre është edhe mungesa e Medvegjës në mënyrë të theksuar, sepse aty kemi pas politika distrikteve të Qeverisë serbe që mos me ua mundësu shqiptarëve me marrë pjesë në regjistrim, nuk u kanë shkuar nëpër shtëpia, nuk i kanë nuk i kanë përmbajtur terminëve që i kanë vendos shqiptarët atje” – tha ai.

“Në këtë formë kemi një rënje të numrit të shqiptarëve në Medëvegjë e cila normalisht, unë e kuptoj këtë logjikën e Serbisë që dëshironë me u munduar me përshtatë me listat e pasivizimit në 10 vitet e fundit dhe për këtë arsye janë këto pengesa” – deklaroi Arifi.

Por, sipas tij, gjendja më e mirë është në Preshevë.

“Në Preshevë, me një kampanjë të fuqishme që e kemi bë në muajt e fundit dhe motivacionin që u kemi bë, në Komunën e Preshevës kemi arrit që të dyfishojmë për pak numrin e shqiptarëve brenda 20 viteve” – tha Shqiprim Arifi.