Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala - Foto: KALLXO.com

Kryetari i Apelit: Kemi problem me lëndët e korrupsionit

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala, sot prezantoi para mediave punën gjashtë mujore të gjykatës që ai udhëheqë.

Mirëpo, përderisa e vlerësoi si të arritur dhe madje rekorde numrin e lëndëve të zgjidhura, ai tha se nuk ishte i kënaqur me punën e gjykatave më të ulëta.

Shala tha se nëse ka numër të caktuar të rasteve të korrupsionit që prishen aktgjykimet, atëherë diçka nuk është duke shkuar më së miri.

“Konsideroj se është një mesatare, por  jo e kënaqshme  mjaftueshëm, sepse nëse ne si Gjykatë e Apelit duke vendosur sipas ankesës e ndryshojmë apo prishim vendimin e Themelores, domethënë që diçka aty ka çalu”, tha Shala.

Shala ishte i prerë në lidhje me politikën e ndëshkimeve në rastet e korrupsionit.

“Kemi problem te rastet e korrupsionit sepse po jepen dënime me kusht kur një person akuzohet për 100 mijë apo më shumë euro keqpërdorim dhe kjo është shumë keq sepse kur të vërteton gjykata se ka vepër penale atëherë duhet të jep dënimin meritor”, tha Shala.

I pari i Apelit ishte më kritik ndaj disa praktikave të përfaqësimit të aktakuzave nga prokurorët.

“Kemi vërejtje për shkak se akuzat të cilat ushtrohen në gjykatë, po më duket se nuk po munden me i argumentua prokurorët e arsyeja është se po ju mungon profesionalizmi mirëpo e kam vërejt edhe një gjë tjetër. Prokurorët që i bëjnë hetimet, rrallë herë ndodhë që ta mbrojnë atë aktakuzë. Kur një prokuror e merr një lëndë një ose dy ditë përpara assesi nuk ka me mundur me qenë në gjendje me mbrojtë atë aktakuzë.

Kryetari Shala tha se ndonëse kanë kryer të gjitha lëndët e shënjestruara për liberalizim të vizave, sfidë e Apelit mbeten lëndët e natyrës civile.

“Shumica e lëndëve të pazgjidhura janë të natyrës civile ndërsa vetëm tani janë zgjidhur lëndët e vitit 2013 dhe kemi filluar me lëndët e vitit 2014. Në Departamentin civil janë 17 gjyqtarë por duhen të paktën 30 gjyqtarë për me arrit me i zgjidh lëndët më shpejtë”,tha Shala.

Shala kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve por alarmoi se me 17 gjyqtarë sa janë në këtë departament dhe me nga 700 -1000 lëndë që ka secili, është vështirë të pritet më shumë dhe se në të kundërtën do të binte cilësia.

Shala tha se Gjykata e Apelit vitin 2018 e ka filluar me 12,576 lëndë të trashëguara nga viti paraprak ndërsa ka pranuar edhe 7,012 lëndë  gjashtë mujorin e parë të vitit 2018.

“6,410 lëndë janë zgjidhur në këta 6 muaj  apo 91% e lëndëve të pranuara e kjo  tregon se  janë zgjidhur 572 lëndë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar apo 91 % e lëndëve të pranuara”, tha Shala.

Shala tha se Gjykata e Apelit ka arritur sukses edhe në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit pasi që vitin 2018 e filluan me 18 lëndë të korrupsionit ndërsa për 6 muaj e parë të këtij viti pranuan edhe  60 lëndë ndërsa 55 prej këtyre lëndëve kanë marrë epilog nga Gjykata  e Apelit.