Fikret Abdiq

Kryetar Komune i Dënuari për Krime Lufte

Kryetarët nga kantoni veriperëndimor i Bosnjës, Una-Sana, u larguan nga një ceremoni zyrtare në shenjë proteste kur krimineli i dënuar për krime lufte mori mandatin e tij si kryetar i komunës së Velika Kladusës.

Kryetari i ri i Velika Kladusës, Fikret Abdiq, i cili ka qenë i dënuar me burg për krime lufte, ndeshi polemika të martën kur vizitoi Sarajevën për herë të parë në 23 vjet për të marrë certifikatën e mandatit të tij.

Gjatë ceremonisë, ndërsa mori mandatin e tij, disa duartrokitën, por kryetarët e komunave të tjera nga Kantoni Una-Sana, në të cilën ndodhet Velika Kladusa dhe ku dyshohet se Abdiq kreu krimet e tij, u larguan.

Abdiq, i cili kaloi rreth dhjetë vjet në burg pasi u dënua në Kroaci për krime lufte kundër boshnjakëve, fitoi postin e kryetarit në komunën e vogël veriperëndimore të Velika Kladusës në zgjedhjet lokale më 2 tetor, me 48 për qind të votave.

Ai ishte një nga kryetarët e fundit të komunave që mbërriti në parlament për ceremoninë zyrtare të ditës së martë, të mbajtur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ndërtesën e parlamentit në Sarajevë, ku një numër i madh gazetarësh shtynin të flisnin me të.

Abdiq komentoi shkurt për të thënë se ai do të ishte një kryetar i shkëlqyer dhe se së shpejti do të promovonte një libër të ri që kishte shkruar.

Pas kësaj, tha ai, ai do të ishte i hapur për diskutime, por tha: “Nuk besoj se do të ketë ndonjë pyetje që nuk do t’i përgjigjet libri.”

Kryetari i Kljucit, Nedzad Zukanoviq, tha për faqen e lajmeve në internet në Sarajeve Klix.ba se ai u largua nga ceremonia se donte t’i përcillte një mesazh tepër të qartë se ata që janë dënuar për krime lufte nuk duhet të zgjidhen kryetarë komune.

“Ligji duhet të ndryshohet në mënyrë që të mos përsëritet e njëjta situatë vitin që vjen,” tha ai, duke shtuar se “nuk dëshironte të ulej në një dhomë me kriminelë lufte”.

Kryetari i Bosanska Krupës, Armin Halitoviq tha për stacionin televiziv N1 që kryetarët e Kantonit Una-Sana kishin rënë dakord së bashku të organizonin protestën dhe se ai “nuk e di sesi do të jenë marrëdhëniet me Velika Kladusën në periudhën në vazhdim”.

Abdiqi 76-vjeçar, i cili u lirua nga burgu në vitin 2012, e vendosi veten në opozitë me qeverinë boshnjake të Sarajevës gjatë luftës së viteve 1992 me 1995 duke udhëhequr një minishtet separatist të quajtur Provinca Autonome e Bosnjës Perëndimore.

Gjatë kohës që ishte në krye të minishtetit të shkëputur, Abdiq luftoi kundër boshnjakëve të tjerë që ishin besnikë ndaj qeverisë në Sarajevë, bashkëpunoi me forcat serbe dhe kroate dhe ngriti kampe burgimi ku janë kryer krime lufte ndaj ushtarëve të kapur të Ushtrisë Boshnjake të cilët u mbajtën aty.

Megjithatë, para luftës Abdiq ishte një drejtues në Agrokomerc, zyrat e të cilës ishin në Velika Kladusa dhe ku ishin të punësuar 13,000 njerëz, duke e bërë atë një nga firmat më të suksesshme bujqësore në ish-Jugosllavi dhe duke bërë që ai të fitonte mbështetje të madhe në nivel lokal.

Jashtë ndërtesës së parlamentit të martën banorët e Sarajevës kishin mendime të përziera në lidhje me praninë e Abdiqit në qytet.

Dzenan Uzicanin, një student 24-vjeçar, tha për BIRN-in se vizita e tij ishte “diçka e keqe për vendin tonë dhe për Sarajevën” duke shtuar se dënimi i Abdiqit për krime lufte s’duhet ta lejojë atë të bëhet kryetar.

“Nuk mendoj se kjo është gjë e keqe për të. Mendoj se ai po e shijon,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, Ivana Sardiq, një punonjëse civile 35 vjeçare, tha se asaj i dukej si diçka e zakonshme.

“Gjithmonë kështu është,” tha ajo, duke thënë se besonte se të gjithë politikanët krijojnë tregime etnike ku duan të zgjidhen dhe se të gjithë silleshin njësoj.

“Për shembull, një ditë ata thonë një gjë për Republikën Serbe dhe të nesërmen bien dakord të gjithë së bashku për të njëjtën gjë,” tha ajo.