Vasfije Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Krasniqi-Goodman: Pavarësisht këtyre pengesave, kërkojmë drejtësi nga institucionet

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, u është drejtuar personave që përjetuan dhunën e njëjtë gjatë luftës, duke thënë se ajo asnjëherë nuk do të heshtë.

Në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, Karsniqi Goodman ka theksuar se pavarësisht tentativave për zbehje të kërkesave për drejtësi të këtyre viktimave, ajo nuk do të dorëzohet.

“Kot mundohen me mohime, me foto apo në forma tjera sepse një ditë drejtësia do të triumfoj. Përderisa ne kërkojmë drejtësi nga institucionet tona, ata duhet të gjejnë mundësi për të ardhur deri tek drejtësia, sepse ne nuk do të dorëzohemi kurrë, gjërat duhet bërë pavarësisht pengesave, Bëjeni për viktimat. Unë Buqja e juaja ju përshëndes pa fund.”, thuhet në reagimin e saj.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, dje(16 maj) ka publikuar një fotografi të cilën shihet një grua teksa dhunohet nga disa ushtarë.

Deputetja Flora Brovina këtë fotografi e ka prezantuar si dëshmi të dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike.

Megjithatë ajo tha se fotografinë e ka qe shumë herët dhe e ka marrë drejtpërdrejt nga familjarët.

“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejt në RTV Dukagjini.

Publikimi i kësaj fotografie, u kritikua ashpër nga deputetë, aktivistë, e shoqata të ndryshme.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka paralajmëruar hetime në bazë të kësaj fotografie dhe do të marrë në pyetje deputeten për këto dëshmi.

Deputetja Flora Brovina ka folur sot pas intervistimit në Prokurorinë Speciale.

Ajo ka pranuar që fotografia e prezantuar dje, e cila shkaktoi një varg reagimesh në Kosovë, nuk është autentike.