Kosova i Merr Borxh Francës 66 Milionë Euro

Sipas Mustafës Kosova nënshkroi një marrëveshje me shtetin francez për marrjen e 66 milionë eurove kredi që do të shfrytëzohen për trajtimin e ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës.

Mustafa qëndroi dy ditë në kryeqytetin e Francës, ndërsa tregoi se për çfarë u diskutua në samitin ku ishte pjesëmarrës.

“Pas takimeve të Berlinit dhe Vjenës, në Samitin e Parisit, u nxorën disa konkluzione shumë të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin. Kosova përfituese e drejtpërdrejtë nga përkrahja në kuadër të këtij samiti,” shkroi Mustafa në Facebook.

Ai përsëriti edhe njëherë se Kosova i ka dyert të hapura për në BE, vetëm atëherë kur të plotësojë kriteret.

“Presidenti Hollande, kancelarja Merkel, zonja Mogherini e të gjithë liderët evropianë theksuan se për Kosovën dhe rajonin dyert e BE-së janë të hapura pas plotësimit të kritereve,” vijoi postimi i Mustafës.