Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico Foto: Robert Fico/ Facebook
Kryeministri sllovak jashtë rrezikut për jetë
Gjendja shëndetësore e kryeministrit sllovak, Robert Fico, më nuk është në rrezik për jetë, pasi ai u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga një mbledhje të Qeverisë të mërkurën, tha zëvendëskryeministri i Sllovakisë.
Sulmuesi e qëlloi Ficon pesë herë. Fillimisht gjendja e tij ishte kritike dhe Fico, 59 vjeç, iu nënshtrua një operacioni në orët e vona të së mërkurës.
“Jam tronditur. Fatmirësisht, me sa di, operacioni shkoi mirë dhe mendoj se ai do t’i mbijetojë [atentatit]. Në këto momente ai më nuk është në rrezik për jetë”, tha zëvendëskryeministri sllovak dhe ministri i Mbjedisit, Tomas Taraba, për BBC.
Taraba tha se një plumb e goditi Ficon në stomak, ndërkaq plumbi i dytë në një kyç.
*Video: Atentati ndaj kryeministrit sllovak
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok, gjatë kohës kur po operohej Fico, kishte deklaruar se jeta e kryeministrit ishte në rrezik.
Ai po ashtu deklaroi se sipas hetimeve fillestare, atentati kishte “qartësisht motive politike”.
Fico arrin marrëveshje koalicioni pas fitores në zgjedhje
Fico, një politikan veteran në Sllovaki që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, kishte dalë nga një takim i Qeverisë së tij në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, kur një burrë i armatosur iu afrua dhe e qëlloi.
Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.
Një video shfaqi Ficon duke u futur nga rojet e sigurisë me nguti në një veturë, e cila u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia u pa gjithashtu duke e arrestuar një person, i cili besohet të jetë i dyshuari.
Të shtënat në Handlova, që sipas mediave lokale sllovake u kryen nga një burrë 71 vjeç, tronditën Sllovakinë dhe nxitën dënim ndërkombëtar.
Sllovakia, shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, është përballur me pak raste të dhunës politike./REL